Konjufca zbulon telefonatën e Hoxhajt: Më tha se Amerika po e kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale

  • 06 September 2019 - 21:52
Konjufca zbulon telefonatën e Hoxhajt: Më tha se Amerika po e kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale

Dhjetori i vitit 2017 kishte qenë një prej muajve më të rëndë për shtetësinë e Republikës së Kosovës. Kjo pasi që ishte tentuar përmes një peticioni në Kuvendin e Kosovës të shpërbëhej Gjykata Speciale.

Ka qenë ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca,  që e ka rikthyer këtë temë në vëmendje pas dy vitesh, duke  zbuluar se atë kohë  kishte marrë një telefonatë nga ish-deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj, për t’u takuar në bufenë e Parlamentit, pasi që Hoxhaj i kishte thënë që State Depratamenti po kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Ju më keni telefonuar, e mbaj mend edhe datën, sepse të gjitha gjerat i shënoj. Më keni thënë që State Departamenti po e kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale. Keni tentuar që ta fusni Lëvizjen Vetëvendosje në lojëra të rrezikshme”, ka thënë Konjufca në Rubikon. 

Një gjë të tillë e ka mohuar më pas Enver Hoxhaj  i cili ishte i ftuar së bashku me Konjufcën në debat.

Më pas Konjufca ka vazhduar të flas duke thënë se Enver Hoxhajn e ka detyruar Thaçi që të bëjë një kërkesë të tillë.

“ z.Hoxhaj nuk i ka pas fajet, atë e ka shti Hashim Thaçi. Ky nuk është aq figurë e madhe politike që të shtyjë procese të tilla…”, ka thënë ndër të tjera Konjufca.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se ka kërkuar shpjegime nga Enver Hoxhaj për një kërkesë të tillë për zhbërje të Gjykatës Speciale.

“ Më ka thënë që po e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këqyr në çfarë beteja të rrezikshme kanë dashur të hyjnë”, ka thënë Konjufca.

Tentimet për zhbërjën e Gjykatës Speciale kishin dështuar pas një presioni të pa parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera mike.

Atë botë ambasadori i SHBA’së, Greg Delawie, kishte thënë se Kosova nuk duhet të rrënojë të ardhmen e vet, për krijimin e të cilës e kishte mbështetur SHBA’ja gjithmonë.

“ëNuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, kishte shkruar Delawie më 22 dhjetor të vitit 2017.

(Kosova Sot Online)