‘Shpërthen’ profesori i njohur: Politika vrapon pas votave, fati i Kosovës në duart e Serbisë

  • 07 September 2019 - 07:41
‘Shpërthen’ profesori i njohur: Politika vrapon pas votave, fati i Kosovës në duart e Serbisë

“Me ndihmën e madhe të miqve të vetë, Serbia po e pengon Kosovën dhe jo vetëm kaq, por edhe ka arritur të futet brenda Kosovës, tamam si me qenë në pushtet”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online” .

Profesori i njohur i së drejtës, Muhamet Kelmendi, njohës me përvojë në zhvillimet politike të Kosovës, konsideron se pushtetarët e tanishëm dhe spektri më i gjerë politik në vend, po tregohet shumë i pa përgjegjshëm, duke e fokusuar gjithë angazhimin në betejën për vota në zgjedhjet e 6 tetorit, kurse është lënë anash aktiviteti diplomatik për të ju kundërvënë fushatës serbe, që po zhvillon kjo e fundit për ta dobësuar sa më shumë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, dhe fuqizuar pozitën serbe para se të fillon rishtas dialogu për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve.

Image
Muhamet Kelmendi

“Është gjë shumë e kuptueshme se armiku shekullor, Serbia, nuk ka hequr dorë nga territori i Kosovës. Madje ajo e mbështetur në planet serbomëdha po pretendon të zgjerohet edhe më tej në hapësirën shqiptare. Në këtë edhe po punon pa ndalë, po angazhohet me çdo forcë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Kelmendit, duke shfrytëzuar këtë qeverisje të dobët dhe duke pasur mbështetje edhe nga faktori me ndikim ndërkombëtar, Serbia me lobimin e vetë po arrin ta shtrijë dita-ditës ndikimin e vetë në Kosovë, duke forcuar strukturat e veta kriminale e ilegale, derisa politika e përgjumur kërkon vota.

“Me ndihmën e madhe të miqve të vetë, Serbia po e pengon Kosovën dhe jo vetëm kaq, por edhe ka arritur të futet brenda Kosovës, tamam si me qenë në pushtet. Tash asgjë nuk po ndërtohet dhe nuk po arrihet pa biseduar me Serbinë. Ky fakt duhet të tmerroj shqiptarët”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online” .

Prandaj sipas Kelmendit, situata duhet të merret më shumë sriozitet, duhet të shqyrtohet qartë politika 20 vjeçare e Kosovës, dhe jo vetëm të dënohen shkatërrimtarët e shtetit, por edhe të ndalet kjo politikë antishtetërore e instaluar deri më tani.

“Është e turpshme kur tani për baraspeshë mes dy shteteve flitet për tërheqjen e taksës së vendosur kundër Serbisë me ndërprerjen e lobimit serb për tërheqjen e njohjeve nga shtete të ndryshme ku Serbia e ka ndikimin e vetë të madh. Aktualisht është arritur baraspesha midis politikës së Beogradit për tërheqjen e njohjeve me taksën e Kosovës. Kudo nëpër qendrat e vendosjes po tërhiqet kjo diagonale dhe po pritet tetori, po pritet të zgjidhjet dhe Qeveria e re në Kosovë për të vazhduar me bisedime por këtë kohë po e shfrytëzon në favor të vetin shteti serb”, ka pohuar Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E derisa politika kosovare e paunifikuar vrapon pas votave dhe lë në harresë politikën e jashtme, sipas Kelmendit vazhdon ofensiva e ministrit të jashtëm serb, madje edhe me sukses duke vepruar kundër Kosovës.

“Krimineli Daqiq po vazhdon veprimtarin antishtetërore të shtetit të Kosovës. Dhe, në këtë gjendjeje, vazhdon amullia në Kosovë, duke krijuar paqartësi dhe konflikte. Subjektet politika janë në luftë për votë dhe ju mungon uniteti për interesin nacional. Përcaktimet politike janë shumë kontradiktore duke vazhduar akoma mos harmonizimi i ideve ku një palë e mbron shtetin dhe taksë e pala tjetër donë reciprocitet, kurse një palë e tretë kërkon suspendim të taksës. Kjo paqartësi dhe mungesë uniteti brenda shtetit tonë ka krijuar konflikt të cilin shteti serb po e përdorë me të madhe për përfitim në terrenin diplomatik ndërkombëtar kundër Kosovës dhe një ofensivë e tillë nuk ka të ndalur”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online)