“Sakrifica të mëdha dhe skenarët e zinj”, çfarë po përgatitët në prapaskenë për Kosovën?

  • 07 September 2019 - 07:55
“Sakrifica të mëdha dhe skenarët e zinj”, çfarë po përgatitët në prapaskenë për Kosovën?

Roli që ka pasur Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës me idenë e pazarit të tokave të Kosovës me Serbinë, në vend të normalizimit, ka quar në përkeqësim dhe bllokimin e tërësishëm të bisedimeve...

Duke i bërë një analizë të detajuar zhvillimit të deritanishëm të dialogut në nivelin e lartë politik në mes të Kosovës dhe të Serbisë, analistët politikë konsiderojnë se ky dialog është zhvilluar me pjesëmarrja nga pala kosovare krejtësisht në mënyrë të pa koordinuar, madje edhe me qëllimin e keq për shkuarjen e tërësishme të shtetësisë tonë të brishtë.

Image
Gani Qarri

Si i tillë ky proces, sipas analistëve edhe është bastarduar, kryesisht nga roli që ka pasur në të Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës me idenë e pazarit të tokave të Kosovës me Serbinë, gjë që në vend të normalizimit, ka quar në përkeqësim dhe bllokimin e tërësishëm të bisedimeve.

Ky është një konstatim edhe nga analisti i njohur, Gani Qarri.

Sipas Qarrit, vetëm marrja e rolit kyç në bisedime nga SHBA-ja, e kthen besimin në një zgjidhje të favorshme për Kosovën.

“Ndaj politika vendore, ka kërkuar me shumë shqetësim në vijimësi një rol më intensiv të SHBA-s, në këtë proces të koklavitur,të nxjerrë tërësisht nga binarët ndërshtetëror dhe shndërruar përdhunshëm Kosovën në provincë private të Aleksandër Vuqiqit prej kuislingut Hashim Thaçi. Kështu që për ti dhënë shtytje rifillimit të dialogut të ndërprerë, së fundmi faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA, po bëjnë presion që qeveria e re pas zgjedhore të formohet me urgjencë dhe tema e bisedimeve me Serbinë të jetë në top prioritet të qeverisë së Kosovës për të ri filluar ato brenda këtij viti, duke u fokusuar madje në muajin dhjetor”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, në nevojën e ri fillimit sa më parë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë insistojnë veçanërisht SHBA dhe Gjermania.

“Shtete këto të cilat kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhbllokuar dialogun dhe të rikthejnë Prishtinën dhe Beogradin në tryezën e bisedimeve, para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm që pritet të mbahen në Serbi, prandaj për të arritur deri te një marrëveshje e shpejtë mes dy vendeve,të dy senatorët amerikanë në Prishtinë Ron Johnson dhe Chris Murphy, përmendën edhe zgjidhje të vështira dhe sakrificën që duhet ta bëjnë Kosova dhe Serbia”.

Sipas Qarrit, sakrifica nënkupton kompromis, prandaj këtu pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos rrëshqet përsëri në projektin Thaçi-Vuqiq për pazare me territore.

“Ndaj vet emërimi i zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit Mathev Palmer,siç tërheqë vërejtjen me të drejtë edhe eksperti amerikan z. Daniel Server,kam frikë se mund ta rikthej sërish në tavolinën e bisedimeve kërkesën e rrezikshme të kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës, apo asociacionin e komunave serbe me kompetenca shtetërore. që të dyja këto, p.sh. asociacioni me kompetenca shtesë nënkupton krijimin e shtetit në shtet dhe një republika-srpska edhe në vendin tonë, kurse ndarja shkatërrimin përfundimtar të shtetit tonë, ndaj si njëra ashtu edhe tjetra, do të ishin jo vetëm sakrifica të mëdha, por edhe akte të papërballueshme dhe rrezik potencial për shuarjen e tërësishme, herët apo vonë, të shtetit të Kosovës”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Eliminimi i rrezikut të rikthimit të projektit për ndarjen e Kosovës në procesin e ri të bisedimeve, me qeverinë e re pas zgjedhore, sipas Qarrit arrihet vetëm duke përjashtuar qartësuar tërësisht agjendën e fillimit dhe të përmbylljes së tij dhe duke eliminuar Thaçin nga ku proces dhe kurrsesi ndryshe.

“Në mënyrë që të mos realizohen skenarët e zinj dhe prapaskenat e trishta që me insistimin e kuislingut Hashim Thaçi, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, që po i përgatiten Kosovës,para se të shkohet në bisedime të reja me Serbinë duhet të vendoset një kornizë mbi përmbajtjen e procesit të dialogut dhe të dihet qysh në fillim se për çka në realitet,do të bisedohet, a ruhet tërësia territoriale dhe kufijtë aktual të shtetit tonë,si dhe a do të sjellin këto bisedime njohjen e Kosovës nga Serbia, duke mbajtur si kusht për këtë, taksën 100%, në fuqi, deri me rastin e arritjes së marrëveshjes për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kufijtë ekzistues”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)