Alarm për Kosovën: Kështu po zhvatet buxheti i shtetit

  • 07 September 2019 - 13:59
Alarm për Kosovën: Kështu po zhvatet buxheti i shtetit

Shpërdorimi i buxhetit të shtetit nga pushtetarët në fushatën elektorale nuk ka të ndalur...

Shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së pa pritur të Kryeministrit Haradinaj, dhe lakmia e partive të koalicionit PAN për tu rikthyer me çdo çmim edhe njëherë në pushtet, po bën që tani të shfrytëzohen të gjitha resurset shtetërore dhe shoqërore për fushatën elektorale, duke keqpërdorur gjithçka që kanë në dispozicion si qeveri në detyrë, nga ministrat e deri te kryeministri, madje edhe duke shpërdoruar buxhetin e shtetit, për ta investuar atë në projekte me qëllim të përfitimit elektoral.

Image
Dardan Grapci

Analistët politikë konsiderojnë se mungesa e mbikëqyrjes, monitorimit efikas nga shoqëria civile, mediet dhe drejtësia të këtij manipulimi me paranë publike po ju krijon akoma më shumë mundësi pushtetarëve që të abuzojnë me pozitën e tyre kalimtare në pushtet.

Sipas ligjit, në një rast të tillë të abuzimit të buxhetit, barra kryesore e përgjegjësisë i bije Ministrisë së Financave, e më pastaj vjen përgjegjësia e Prokurorisë së Shtetit, Agjencionin Kundër Korrupsion, dhe organizatat e shoqërisë civile.

Sipas analistit, Dardan Grapci lejimi i kësaj hapësire veprimi, flet më së miri për nivelin e kapjes së shtetit nga politika e inkriminuar dhe ndikimi i madh i politikës në drejtësi.

“Buxheti i Kosovës është e ditur që është përdorur edhe në të kaluarën për qëllime elektorale, do të përdoret edhe tani nga të gjitha partitë politike që kanë dalë nga Qeveria e cila është shpërndarë para disa javëve në Kuvendin e Kosovës me votat e tyre sepse tani qëllim të vetëm kanë jo zhvillimin e shtetit por rikthimin e pushtetit nga i cili u detyruan të largohen para kohe”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Ai konsideron se denoncimi i parë që duhet bërë ndaj këtij fenomeni, duhet të vij nga vetë MEF-i sepse është qendra e kontrollimit dhe koordinimit të shpenzimeve buxhetore të të gjitha ministrive të tjera dhe agjencioneve të pavarura.

“Gjithsesi përgjegjësinë kryesore këtu në këtë lojë me paranë publike e ka Ministria e Financave. Kjo ministri duhet të del haptas dhe të deklaron se çka po ndodhë me buxhetin e Kosovës, a po keqpërdoret buxheti nga partitë në mënyrë ilegale në këto fushata të parakohshme, dhe deri kur e kanë në plan që ti lejojnë partitë pozitë dhe opozitë për ti marr financat për fushata zgjedhore”, shtoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, një vendim për mbrojtjen e resurseve shtetërorë nga shpërdorimi për qëllime elektorale, edhe për buxhetin e shtetit, është dashur të votohet në Kuvend para se të ndodhë shpërndarja, por nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim dhe tani gjithçka po mbetet në përgjegjësinë e ministrave në detyrë dhe vartësve të tyre.

“Mendoj se sikur të kishin pasur interes serioz për shtetin, partitë politike është dashur ta propozojnë një vendim për ta votuar në Kuvendin e Kosovës para se të shpërndahet, me qëllim për mbrojtjen dhe mbylljen e buxhetit të Kosovës, përveç nevojave të domosdoshme të funksionimit të shtetit dhe projekteve që janë në vijimësi, deri në krijimin e Qeverisë së re që do të del nga zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Pas 6 tetorit, krijimi eventual i një Qeverie serioze që ka për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndjekjen e abuzuesve me paranë publike, do të duhej të kishte për objekt edhe analizën e mënyrës së shpenzimit të buxhetit gjatë fushatës dhe projekteve të financuara gjatë kësaj kohe për qëllime elektorale.

“Nëse pas 6 tetorit merret vesh që partitë politike kanë abuzuar me buxhetin e Kosovës, Qeveria e re do të duhej nxjerr ato konstatime kurse Prokuroria e shtetit dhe Agjencioni Kundër Korrupsionit të reagojnë duke i ngritur rastet dhe aktakuzat për ti dënuar ato parti politike të cilat kanë marr kundërligjshëm nga buxheti i shtetit”, theksoi analisti Grapci për “Kosova Sot Online”.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të kontrollohet dhe të mbrohet buxheti nga keqpërdorimi i zyrtarë që janë në detyrë gjatë këtij mandati kalimtar dhe të cilët ju shërbejnë në këtë mënyrë partive politike, atyre që janë në pushtet, e që duhet ta dinë se paraja publike nuk bënë të shpërdorohet për qëllimin e fitimit të votës, sepse vota fitohet me besim në programin politik dhe qeverisës që i ofrohet qytetarit dhe jo duke abuzuar buxhetin e shtetit”, përfundoi analisti, Dardan Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)