Akuza të rënda për Kadri Veselin e Hashim Thaçin: Ja pse duhet të ikin sa më shpejtë...

  • 08 September 2019 - 07:44
Akuza të rënda për Kadri Veselin e Hashim Thaçin: Ja pse duhet të ikin sa më shpejtë...

Ish kreu i SHIK-t, tani kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka propozuar të ashtuquajturin pakt 10 pikësh kundër korrupsionit, dukuri të cilën ishte pikërisht partia e Veselit që e instaloi në Kosovë...

Analisti politik, Gani Qarri ka reaguar ashpër kundër propozimit të Kadri Veselit për të ashtuquajturin pakt 10 pikësh kundër korrupsionit.

Qarri për “Kosova Sot Online” tha se është i çuditshëm dhe i pa pranueshëm fakti kur pa asnjë fije turpi, mu ata të cilët për dy dekada me radhë e kanë kapur dhe kriminalizuar çdo pore të institucioneve shtetërore, që e ngulitën deri në palcë të këtij vendi nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, tani jo vetëm se duan ta lajnë veten nga të gjitha mëkatet e krejt këtyre viteve vetëm me një fushatë elektorale, por përpiqen t’i hedhin edhe hi syve një populli të tërë dhe manipulojnë sërish atë, se kinse pas 20 vitesh kriminalizimi, pikërisht ata na qenkan "engjëjt" e vetëm, që sërish dashkan të vijnë në krye të këtij vendi dhe shteti si "shpëtimtar"!

Image
Gani Qarri

Madje Qarri thotë nëse dikush duhet të ikë nga politika për krim dhe korrupsion, në krye të kolonës duhet të jetë shefi i Kadri Veselit, Hashim Thaçi, e pas tij të shkojë edhe Veseli me të tjerët që bashkëqeverisjen dhe u zhytën vendin në krim e korrupsion për dy dekada.

“Është koha që përfundimisht,Kadri Veseli duhet ta ketë të qartë se më kot po mundohet të kërkoje amnisti politike për krim dhe korrupsion, në emër të PDK-së, si kreu i kësaj partie, kur dihet fakti se po ky subjekt politik është flamurtar i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhë dhe vazhdojnë ti ndodhin vendit, si dhe kapjes së çdo institucioni të shtetit të brishtë të Kosovës për këto dy dekada që po mbeten prapa nesh. Ai që përfundimisht duhet të ikë i pari nga skena politike, është pikërisht shitësi i vendit dhe shkelësi më i madh i Kushtetutës së Kosovës kuislingu Hashim Thaçi pastaj Kadri Veseli, e me pas edhe politikanët tjerë, tërësisht “de-mo-de”, si Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Ismet Beqiri, Lutfi Haziri, Fatmir Limaj, Behxhet Pacolli, Shpend Ahmeti... etj”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, Qarri ka theksuar se është pikërisht partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ajo që e ka ndërtuar dhe ngritur piramidën e krimit e korrupsionit në Kosovë, prandaj tani duan ta luajnë lojën e djallit për tu paraqitur kinse ata janë të vetmit që mundë dhe dinë ta luftojnë këtë të keqe.

“Siç është e njohur për opinionin e gjerë publik, qysh në vitin 2013-t, ishte pikërisht PDK, ajo që përveç tjerash, me veprimet dhe emërimet e saj kundërligjore, detyroi përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tërhiqeshin nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së, siç detyruan edhe vetëm para pak ditësh, sërish tërheqjen e përfaqësuesve britanik dhe atyre amerikan edhe nga Bordi i AKKVP – “Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës”, me përsëritjen e emërimit antiligjor të një personi, sërish të papërshtatshëm ligjërisht në krye të këtij enti. Madje kjo është tallja më e madhe që mundë ti bëhet sot qytetarit të Kosovës nga një parti e inkriminuar për dy dekada me radhë ne qeverisje duke u munduar që të shfajësohet e të pastrohet nga krimi e korrupsioni me projekte të rrejshme elektorale sikur prezantimi i të ashtuquajturit "pakt prej 10 pikave" që, sipas Kadri Veselit, na qenka “një hap konkret” për luftimin e krimit dhe korrupsionit, të cilat vet ai me Hashim Thaçin dhe bashkë partiakët e inkriminuar i kanë mbjellë dhe vazhdojnë ti ujisin, që ato të lulëzojnë sa më shumë, kudo në Kosovë”, deklaroi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Gani Qarrit, përderisa ditën nëpër fushata paraelektorale, Kadri Veseli e ka gojën plotë mirëqeverisje dhe bënë sikur na flet për luftën e "ashpër" që ai dashka të bëjë kundër nepotizmit, korrupsionit e krimit të organizuar, natën, siç bëhet e ditur për opinionin nga mediet vendore, vet Kadri Veseli vazhdon të punësojë pa asnjë konkurs e kriter dhe në mënyrë tërësisht kundërligjore, jo vetëm të afërm e bashkëpartiakë nëpër institucionet publike dhe shtetërore të vendit.

Qarri ka përmendur në këtë rast Postën e Kosovës, që edhe pse ndodhet në krizë të rëndë buxhetore, Veseli e ka punësuar aty pa konkurs edhe shoqen e gruas së tij, si menaxhere të marketingut në Postë.

“Pra që të gjitha këto, flasin qartë se me njerëz të tillë Kosova jo vetëm që nuk ka orientim properëndimor por edhe korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar galopant, nuk mund të luftohen nga njerëz si Kadri Veseli të cilët për 20 vite me radhë i kanë ngulitur dhe ambientuar ato,si thikë pas shpine, në çdo ent dhe institucion shtetëror e publik të Kosovës. Ndaj vendi ynë mund të shpëtoj nga krimi e korrupsioni i organizuar dhe pastrohet nga kriminelët, që tash e dy dekada po ia zënë frymën dhe rrinë mbi krye, vetëm nëse nga shqiptarët nuk votohen më dhe detyrohen të ikin nga politika pushtetarët e inkriminuar, zhvatësit dhe shkatërruesit e shtetit, si dhe PDK, përfundimisht dërgohet në opozitë”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, dihet publikisht se për gjendjen e krijuar në vend, korrupsionin galopant, nepotizmin dhe krimin e organizuar në Kosovë, fajtori kryesor është pikërisht Hashim Thaçi dhe partia e tij në krye të së cilës tani është Kadri Veseli.

“Kështu që me arsye të plotë, nga votuesi i vetëdijesuar i vendit, pritet me të drejtë që përfundimisht tronditjen më të madhe në këto zgjedhje, ta marrin pikërisht shitësi i paskrupullt i interesave kombëtare e shtetërore të Kosovës kuislingu Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe partia e tyre e inkriminuar, që kanë izoluar totalisht popullin e Kosovës dhe nuk e lanë këtë vend, kurrë të ecë përpara as shohë dritë, për 20 vite me radhë”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)