Trump thotë se i ka anuluar bisedimet sekrete me talibanët

  • 08 September 2019 - 09:25
Trump thotë se i ka anuluar bisedimet sekrete me talibanët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se i ka anuluar bisedimet sekrete të paqes me liderët e talibanëve pasi ky grup e mori përgjegjësinë për një sulm në Kabul të Afganistanit. Në mesin e 11 viktimave të këtij sulmi ishte edhe një ushtar amerikan.

Ai tha në Twitter se liderët talibanë do të takoheshin me të për bisedime të paqes në kampin “David” në Shtetet e Bashkuara të dielën, por i anuloi ato pasi talibanët e morën përgjegjësinë për sulmin në kryeqytetin afgan, Kabul.

“Nëse ata nuk mund të pajtohen për një armëpushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme të paqes dhe madje i vrasin 12 persona, atëherë ndoshta nuk e kanë fuqinë për të biseduar rreth një marrëveshjeje kuptimplote”, shkroi Trump në Twitter të shtunën. 

Sulmi i talibanëve, të cilit iu referua presidenti Trump, ndodhi të enjten, kur një veturë bombë shpërtheu në Shash Darak të Kabulit, ku ka shumë seli të rëndësishme, përfshirë Drejtorinë Kombëtare të Sigurisë dhe Shërbimin Afgan të Inteligjencës.

Vrasja e ushtarit amerikan e çoi në 16 numrin e pjesëtarëve të vrarë të personelit amerikan në Afganistan këtë vit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)