Nis fushata e ‘nxehtë’, ja loja me Gjykatën Speciale dhe vrasjet politike

  • 08 September 2019 - 17:40
Nis fushata e ‘nxehtë’, ja loja me Gjykatën Speciale dhe vrasjet politike

PDK-ja veç ka filluar ta përdor krahun e luftës si krah politik i viktimizuar edhe nga Gjykata Speciale, derisa LDK-ja përdorë vrasjet politike...

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të këtij viti për Kuvendin e Kosovës, sipas analistit politik Ragip Guraziut, po zhvillohen në një atmosferë shumë të tensionuar ne mes të partive politike për shkak të inateve që janë zgjuar mes tyre nga lakmia e madhe për pushtet.

Image
Ragip Guraziu

Në këtë rrugë të garës për votën, këto parti sipas Guraziut, po i përdorin edhe akuzat për krime lufte, për vrasjet politike dhe për përgjegjësinë e atyre që e votuan dhe përkrahën Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, kinse për të ndjekur dhe neutralizuar kundërshtarët politik.

Guraziu thotë se beteja për të fituar votë në këtë mënyrë të pa skrupull, veç ka filluar të zhvillohet mes krahut të partive politike të luftës dhe LDK-së, që konsiderohet parti e krahut të paqes.

“Sjellje të tilla absurde bënë vetëm politika e dështuar, e vetëdijshme se ka mashtruar për dy dekada qytetarin dhe tani nuk zgjedh mjete për të mbetur në pushtet edhe duke vajtuar. Rivaliteti i madh dhe akuzat janë evidente, sidomos ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, që kësaj radhe po hyjnë në fushatën zgjedhore të 6 tetorit me një lojë tepër jo serioze. PDK-ja veç ka filluar të përdor krahun e luftës si krah politik i viktimizuar edhe nga Gjykata Speciale,derisa LDK-ja po mendon me i përdorë vrasjet politike. Të dy këto subjekte politike po mendojnë që me këto dy tema në fushatë mundë të kenë shumë përfitime politike dhe të sigurojnë secila për vete vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Kësaj ndarje në krah politik të luftës e të paqes, sipas Guraziut, po i kontribuojnë edhe subjektet tjera politike, AAK dhe Nisma, të cilat secilën ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim kanë filluar ta ngjyrosin edhe me çështje politike.

“Që në fillim veç kanë filluar t’i përdorin partitë politike të krahut të luftës në mënyrë të pa skrupull dhe krejt të pa turpshme ftesat që po vijnë për intervistim të figurave të caktuara politike nga Gjykata speciale. Këto ftesa që janë krejt normale nga një institucion i tillë, sado që ne e konsiderojmë të pa drejtë dhe të njëanshëm, po përdoren pa ndershëm për përfitimin e ponëve politike në fushatë zgjedhore. Unë mendoj se kjo mënyrë e sjelljes nuk mundë të të sjell vota sepse tek e fundit Gjykata Speciale nuk është imponuar me dhunë por është votuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës nga këto parti politike parlamentare, me përjashtim të VETËVENDOSJE-së e cila pati bërë të gjitha veprimet e mundshme demokratike e politike për ta penguar votimin në Kuvend”, rikujton Guraziu për ‘Kosova Sot Online”.

Sipas tij, duhet të ketë një kulturë më të mirë të mirësjelljes politike në këtë fushatë zgjedhore, dhe temat e tilla të ndjeshme të mos përdoren për përfitime elektorale, pasi qytetari e di fare mirë ku qëndron e vërteta dhe si duhet të zgjidhet kjo çështje.

“Kjo është çështje që duhet t’i lihet vetëm drejtësisë dhe të mos përzihet politika në drejtësi,as në njërin dhe as në rastin tjetër sepse vetëm do të ngjall akoma më shumë irritimin e qytetarëve të zhgënjyer nga kjo klasë politike mashtruese e cila është shpenzuar me premtime të kota dhe nuk ka ofertë të besueshme e te realizueshme për të kthimin e shpresës së qytetarit dhe zhvillimin e vendit”, përfundoi analisti, Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )