Zbardhet skenari i ‘pazarit’ me Serbinë, ja çka fiton e çka humb Kosova

  • 09 September 2019 - 07:49
Zbardhet skenari i ‘pazarit’ me Serbinë, ja çka fiton e çka humb Kosova

Dhënia e 8200 hektarëve Malit të Zi në emër të liberalizimit të vizave, i la derën hapur orekseve grabitqare të Serbisë...

Nuk janë tanimë vetëm qytetarët e zakonshëm që kanë humbur shpresat për liberalizimin e vizave, por këtë mundësi e shohin shans të humbur për shumë vite edhe analistët e zhvillimeve politike. Analisti politik, Florim Zeqa konsideron se edhe disa premtime të herëpashershme që vijnë nga zyrtarët e BE-së, janë vetëm zëra të vetmuar dhe shprehje dëshirash miqësore, por realiteti është i pa shpresë që të ndodhë shpejtë ky proces, pasi Këshilli i Ministrave të BE-së është shtylla kryesore që vendos për këtë çështje.

Image
Florim Zeqa

Zeqa thotë se aktualizimi i temës së krimit dhe korrupsionit galopant që ka kapluar Kosovën, sipas bindjes së shteteve të BE-së, ta shtyn edhe për një kohë nxjerrjen në rend ditë të Këshillit të Ministrave të BE-së çështjen e heqjes së vizave për kosovarët.

“Edhe përkundër faktit që deputeti gjerman, Peter Beyer, ndezi shpresat e kosovarëve për mundësinë e liberalizimit të vizave në prag të vitit të ri 2020, Bashkimi Evropian ka lëshuar edhe një “dush” të ftohtë me aktualizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e rikthyer si kusht për vizat dhe si problem serioz me të cilin ballafaqohet Kosova nga shumica e vendeve anëtarë te BE-së. Përveç që nuk do të jetë në rend të ditës liberalizimi i vizave në takimet e radhës të institucioneve kompetente, për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, nuk ka pajtim as në mes të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kësisoj po shuhen shpresat e qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave edhe gjatë këtij viti, respektivisht në prag të vitit 2020 sikur që premtuan ditë më parë deputetët gjerman që e vizituan Kosovën”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, përveç arsyeve të sipërpërmendura, janë edhe ato politike që janë të lidhura me dialogun Kosovë-Serbi, nga i cili dhe për të cilin është i lidhur fati i liberalizimit të vizave për qytetarët dhe shtetit në përgjithësi.

Sipas Zeqës, tanimë po del se demarkimi i kufirit me malin e Zi, dhe humbja e 8200 hektarëve tokë në emër të liberalizimit të vizave, ishte një vetëvrasje e madhe që politika kosovare ia bëri vetvetes, kurse tani i njëjti shantazh mund të përdoret edhe në bisedimet me Serbinë.

“Dhënia e 8200 hektarëve Malit të Zi në emër të liberalizimit të vizave, i la derën hapur orekseve grabitqare të Serbisë, e ndihmuar nga Rusia dhe një pjesë e konsiderueshme e shteteve të BE-së, që të kërkojnë akoma më tepër nga shqiptarët e mjerë, të cilëve më shumë u intereson pushteti sesa shteti. Këto ambicie të sëmura të shqiptarëve i kanë kuptuar më mirë se askush tjetër zyrtarët perëndimor”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Andaj sipas tij, sa herë që dikush nga liderët kosovarë "rebelohet" ndaj kërkesave të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare e gjen çelësin e zgjidhjes përmes organizimit të maskaradave zgjedhore, përmes të cilave sillen në pushtet kundërshtarët e ndryshimit të kufijve, për t’i “urtësuar” edhe ata dhe puna kryhet pa asnjë problem, siç u krye me Demarkacionin me Malin e Zi.

“Prandaj edhe kësaj radhe, përmes procesit zgjedhor do të sillet në pushtet klasa e preferuar politike që voton pa asnjë kundërshtim marrëveshjen e gatshme politike Kosovë-Serbi të dizajnuar nga bashkësia ndërkombëtare. Me t'u arritur ky momentum, do të hiqen të gjitha barrierat artificiale dhe kushtet për liberalizim. Mbase me dhënien e veriut Serbisë, do të hiqen edhe barrierat politike të vëna padrejtësisht në mes Kosovës dhe Shqipërisë një shekull më parë”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)