Kërkohet transparencë në shpenzimet e fushatës elektorale

  • 09 September 2019 - 10:03
Kërkohet transparencë në shpenzimet e fushatës elektorale

Nisur nga vitet paraprake, subjektet politike në vazhdimësi bëjnë shpenzime të mëdha për fushata elektorale ku mungon edhe transparenca e burimit të financimit.

Shumat e mëdha e kalojnë atë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e parasheh për parti politike, që është 0.50 cent për votues. Monitoruesit e këtij procesi, kërkojnë transparencë, pasi, siç thonë ata, burimet financiare po kompensohen me koncesione, apo tenderë, në shifra qindra milionë euro në dëm të buxhetit të shtetit.

Burimi i financimit të partive politike në Kosovë është një prej çështjeve më të debatueshme prej shumë vitesh, dhe në këtë kuadër hyjnë edhe fushatat e shtrenjta zgjedhore që janë me të dhëna financiare të paregjistruara.

Faruk Spahija, nga KDI, i tha Radio Kosovës se subjektet politike shpenzojnë shumë ma shumë se sa që është e përcaktuar me ligj, e që është 0.50 cent për votues:

“Subjektet politike gjatë gjithë vitit shpenzojnë para dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme, por në afërsi të zgjedhjeve shpenzimet e tyre janë më të mëdha, edhe pse, sipas ligjit, subjektet politike në kohë fushate e kanë të kufizuar shpenzimin e parasë dhe është 0.50 cent për votues, që i bie afro 1 milion euro. Realisht subjektet politike deklarojnë se kanë shpenzuar aq para por në anën tjetër ajo se çfarë shohim ne si publik është që shpenzimet janë shumë më të mëdha dhe mund të kalojnë edhe shifrat milionëshe, sidomos te subjektet e mëdha politike që kanë edhe buxhet më të madh” tha ai.

Spahija thotë se nuk ka vullnet të madh të subjekteve politike për t’i bërë publike shpenzimet e tyre, duke shtuar se duhet transparencë, sepse në të kundërtën kjo po kushtëzohet në dhënien e tenderëve të kompanive të caktuara:

“Do të ishte mirë për të gjithë edhe për transparencë që të deklarohen dhe llogaritë dhe shpenzimet e tyre të jenë online, në mënyrë që të shihet se sa shpenzojnë ato dhe nga kush financohen. Kjo do të ishte një lehtësi të shihet se kush kujt i jep para dhe kush më pas fiton tender në sektorin publik nga financimi që më parë i ka bërë subjektit politik. Pra, është një lidhje në mes të financuesve të subjekteve politike dhe fituesve të tenderëve. Ato kompani që kanë financuar fushatat politike më pas edhe janë shpërblyer edhe me tenderë publikë”, tha ai.

Ndërsa Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thotë se subjektet politike janë të obliguara që të dorëzojnë në KQZ dy lloje të raporteve financiare.

“Raportet Vjetore Financiare (kjo vlen për partitë politike të regjistruara) dhe Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës Zgjedhore për partitë e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Më 1 mars të çdo viti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranon Raportet Vjetore Financiare të Partive Politike, ndërsa subjektet politike pjesëmarrëse në një proces zgjedhor e kanë për detyrim ligjor që të dorëzojnë Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës Zgjedhore 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve”, tha ai.

Elezi thotë se mos respektimi i këtij procesi ndëshkohet sipas ligjit mbi Financimin e Subjekteve Politike. Edhe këtë vit monitoruesit nga “Demokracia në Veprim” do të bëjnë një anketë me subjekte politike rreth shpenzimeve të tyre, që të shihet nëse përkon me realitetin e deklarimeve të këtyre financave.

(Kosova Sot Online)