Vritet punëtori që i mbronte fiset indogjene në Amazonë

  • 09 September 2019 - 13:42
Vritet punëtori që i mbronte fiset indogjene në Amazonë

Policia në Brazil janë duke e hetuar vrasjen e një zyrtari që punonte për t’i mbrojtur njerëzit indogjenë nga fermerët dhe druvarët, të cilët po përpiqen të grabisin sa më shumë sipërfaqe pyjore.

Raportohet se Maxciel Pereira dos Santos u qëllua dy herë në kokë në qytetin Tabatinga, afër kufirit brazilian me Kolumbinë dhe Perunë.

Zyrtarët thanë se Santos u vra para syve të anëtarëve të familjes.

Vrasja e punëtorit ndodhi në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po e dënon ashpër shkallën e lartë të shkatërrimit në pyjet e Amazonës në Brazil.

Së paku 80 mijë zjarre janë regjistruar në Amazonë nga janari deri në gusht të këtij viti. Ky numër është dy herë më i lartë sesa shifra e zjarreve për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Presidenti populist i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit për shkak të dështimit për t’i mbrojtur këto pyje.

Ai shpesh ka ofruar përkrahje për fermerët dhe druvarët që punojnë në këtë rajon, ndërsa i ka kritikuar aktivistët për mbrojtjen e mjedisit dhe ia ka përgjysmuar buxhetin agjencisë mjedisore, shkruan “BBC”, transmeton.

(Kosova Sot Online)