OBSh-ja: Një vetëvrasje ndodh në botë për çdo 40 sekonda

  • 09 September 2019 - 16:02
OBSh-ja: Një vetëvrasje ndodh në botë për çdo 40 sekonda

Sipas statistikave të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i vetëvrasjeve në botë është duke rënë. Sidoqoftë, në botë ende ndodh një vetëvrasje për çdo 40 sekonda. Kjo organizatë ka kërkuar më shumë masa nga qeveritë e shteteve për ta parandaluar këtë dukuri shqetësuese.

Organi për shëndetësi i Kombeve të Bashkuara tha se numri i vetëvrasjeve në botë ka rënë për 9.8 për qind nga viti 2010 deri në vitin 2016. Sidoqoftë, në Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje e numrit të vetëvrasjeve.

“Secila vdekje është tragjedi për familjen, miqtë dhe kolegët. Sidoqoftë, vetëvrasjet mund të parandalohen. U bëjmë thirrje shteteve që të fusin strategji për parandalimin e vetëvrasjeve në programet e tyre kombëtare për shëndet dhe arsim dhe që kjo të bëhet në mënyrë të qëndrueshme”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Kjo organizatë tha se në botë çdo vit nga vetëvrasja vdesin rreth 800 mijë njerëz, më shumë sesa nga malaria, kanceri i gjirit apo nga lufta dhe vrasjet. Sipas zyrtarëve të kësaj organizate, vetëm 38 shtete në botë kanë strategji për parandalimin e vetëvrasjeve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se një nga mënyrat e zvogëlimit të shkallës së vetëvrasjeve është kufizimi i qasjes në pesticide, të cilat, së bashku me varjen dhe armët e zjarrit, janë ndër mënyrat kryesore të vetëvrasjes. Për shembull, ndalimi i pesticideve të rrezikshme ka ndikuar që numri i vetëvrasjeve të bie për 70 për qind brenda 20 vjetësh, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)