Mbi 15 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhjet parlamentare

  • 09 September 2019 - 16:30
Mbi 15 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhjet parlamentare

Prej ditës kur është hapur afati (30 gusht) deri sot në orët e mëngjesit Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pranuar mbi 15 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Kështu ka bërë të ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së Enis Halimi, i cili është kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Deri sot në orët e paradites kemi 15 mijë e 200 aplikacione që janë për regjistrim, të cilat i kemi pranuar përmes emailit dhe fax-it”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku periudha e aplikimit ka qenë vetëm 8 ditë, në zgjedhjet e 2019-s periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të jetë gjithsej 12 ditë.

Në këtë drejtim, për të aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës kanë mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundim të afatit zyrtar.

(Kosova Sot  Online)