“Nëse vazhdoni kështu do humbim!” Ramën e zë frika, kërcënon deputetët

  • 09 September 2019 - 16:58
“Nëse vazhdoni kështu do humbim!” Ramën e zë frika, kërcënon deputetët

“S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra sepse do shkojmë të humbim”

Këto ishin disa nga fjalët e Ramës drejtuar deputetëve të PS-së në mbledhje e kësaj të hëne, pak metra larg sallës ku Meta po raportonte në lidhje me kërkesën e socialistëve për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit.

Rama ka folur për ‘fajet’ e deputetëve, drejtorëve apo funksionarëve të shtetit (jo të qeverisë) duke thënë se shumë prej tyre (deputetëve) ende nuk e dinë se ku e kanë zonën elektorale dhe se nëse ata nuk i përkushtohen elektoratit, atëherë do ishte më mirë që të jepnin vetë dorëheqjen.

“Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar dhe karriera në këtë grup”, është shprehur kryeministri.

“Partia Socialiste s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra sepse do shkojmë të humbim”, citohet të ketë thënë kryeministri.

Një mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë sipas kryeministrit është transformimi i PS, duke hequr dorë nga takimet me të njëjtat fytyra, me të njëjtat pazare e dallavere.

“As Partia Socialiste e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen. Mbajeni mend, që do humbim pushtetin nëse vazhdojmë kështu. Ju mbajeni sa të doni se unë s’do pres fundin e as ju”, u ka thënë kryeministri deputetëve socialistë.

(Kosova Sot Online)