Gjendet një trup në Zhabar, dyshohet të jetë i luftës së fundit

  • 09 September 2019 - 17:12
Gjendet një trup në Zhabar, dyshohet të jetë i luftës së fundit

Trupi i pajetë i një personi, që dyshohet se i përket luftës së fundit në Kosovë, është gjetur i varrosur në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës.

Eshtrat janë gjetur të premten nga qytetarët, gjatë ceremonisë së varrimit të një banori në këto varreza.

Në lidhje me rastin është njoftuar policia, njësitet e së cilës kanë izoluar vendin dhe kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërsa pritet ekipi i mjekësisë ligjore dhe organet tjera të vazhdojnë të merren me këtë rast.

Lajmin për gjetjen e trupit e ka konfimruar edhe Kryetari i shoqatës “Zëri i prindërve”, njëherësh udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini.

“Gjynahu më i madh është se familjarët më kanë pyetur mua, e unë s’kam ditur asnjë fjalë t’ua them. Është gjynah për të gjithë ata që kanë të pagjeturit, sepse kemi një shoqatë e cila kujdestaron çdo ditë prej ora 8:00 deri në 17:00”.

“Gjithmonë hapur dhe mos me u gjet një njeri me tregu se çka ka ndodhur, përveç familjarëve. Është mëkat i madh, po na e shtojnë mërzinë dhe plagët të cilat janë shumë të rënda…Nuk e di pse është kjo neglizhencë, gjithmonë ka qenë kështu”…

“Po i bëjnë disa gjëra fshehtë, pse i bëjnë ata e dinë…Më duket se po ju konvenon me marr mëditje, me dalë nëpër terren…Unë e kam fjalën për ata që marrin rroga, të cilët i paguan shteti, por edhe ndërkombëtarët që janë ndihmës të këtij procesi”, ka thënë Çerkini. 

(Kosova Sot Online)