Zbardhet skenari për Kosovën: Ky është kushti i ri për liberalizimin e vizave

  • 09 September 2019 - 18:43
Zbardhet skenari për Kosovën: Ky është kushti i ri për liberalizimin e vizave

“Kemi të bëjmë me dialogun me Serbinë, liberalizimi i vizave do të përdoret si presion gjatë negociatave”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Nisur nga fakti që liberalizimi i vizave për kosovarët po zvarritet pafundësisht, edhe pas vlerësimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian, analistët politikë druajnë se ky proces do të përdoret edhe si lojë për kompromis në bisedimet që pritet të riaktivizohen me Kosovës dhe Serbinë, për arritjen e një marrëveshje finale, për t’i dhënë zgjidhje këtij procesi edhe shumë temave të tjera.

Një dyshim të tillë e ngre seriozisht edhe analisti politik, Faik Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Ai është i sigurt që Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me përpikëri nga BE-ja, sikur që nuk i kanë plotësuar as edhe shtetet e tjera paraprakisht, por rekomandimi dhe vlerësimi pozitiv i dhënë nga Komisioni Evropian e obligon BE-në që t’i jep zgjidhje kësaj teme në afat sa më të shkurtër kohor, e këtë nuk janë duke e bërë, por po e fusin në pako të bisedimeve me Serbinë për arritjen e marrëveshjes finale.

“Çështja e liberalizimit të vizave është bërë si telenovelat indiane që s'kanë fund. Është e pa kuptueshme se si një institucion si Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, e njëjta votohet edhe në LIBE, por nuk dërgohet në Këshillin e Ministrave për t'u votuar. BE duhet të dal hapur dhe të thotë që nuk ka liberalizim të vizave, dhe jo në kushte anonimiteti zyrtarët e saj të japin për media tona deklarata konfuze”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

Analisti, Faik Krasniqi lë të kuptohet se vlerësimi pozitiv i përmbushjes së kritereve nga KE-ja, ka qenë edhe i disponimi politik, sepse sipas tij Kosova dhe asnjë shtet nuk i ka përmbushur kriteret reale, pasi gjendja në Kosovë dhe rajon është pasqyra më e mirë se me çfarë shtetesh të korruptuara kemi të bëjmë.

“Kjo çështje po shkon duke rrëshqitur sikur për tu kushtëzuar edhe me dialogun, gjë që e bënë akoma më të pa qartë kufirin kohor të heqjes së vizave. Luftimi i krimit organizuar dhe korrupsionit, nuk besoj që i bëhet vonë Bashkimit Evropian, aq sa ju ka bërë në këto dy dekada, por çështja është më e thellë. Kemi të bëjmë me dialogun me Serbinë, liberalizimi i vizave si presion gjatë negociatave”, tha për “Kosova Sot Online”, analisti politik Faik Krasniqi.

Sido qoftë analisti Krasniqi thotë se tash kur Kosovës po i bëhet presion që të hiqet taksa 100 ndaj Serbisë, për të filluar dialogun, Kosova e ka shansin ideal që të kërkon heqjen e vizave, dhe kështu çështja e vizave të mos mbetet në pakon e kompromiseve të mëdha që mundë të imponohen më vonë gjatë këtij procesi.

“Ne e heqim taksen, ju na hiqni vizat. Këtë armë e kemi dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë, përndryshe liberalizimi i vizave mundë të shtyhet gjatë... të mos ndodh kurrë”, përfundoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)