Instituti i njohur slloven zbulon se kush do t’i fitojë zgjedhjet më 6 tetor

  • 10 September 2019 - 11:16
Instituti i njohur slloven zbulon se kush do t’i fitojë zgjedhjet më 6 tetor

Zgjedhjet  parakohshme që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë kanë qenë target analize për Institutin slloven, IFIMES, që merret me studimin e gjendjes në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

Sipas kësaj analize në këto zgjedhje pritet që të humbasin partitë që kanë qeverisur dy vitet e fundit me Kosovën. Përveç tjerash ky institut konstaton se rënia nga pushteti e PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, do të kenë ndikim edhe në rënien nga pushteti të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Përveç tjerash instituti slloven zbulon se kryeministri i Shqipërisë ka qenë i angazhuar që të parandalojë shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, por konstatojnë se përpjekjet e tij kanë rezultuar të pasuksesshme.

Kjo pasi që siç shkruan në analizën e IFIMES, humbja e partive që ishin në qeverisje nënkuptojnë edhe fundin e qeverisjes së tij në Shqipëri.

“Kryeministri Rama ishte i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet për të bindur partitë politike të opozitës në Kosovë që të shmangin zgjedhjet e parakohshme dhe krijimin e një qeverie të re. Por përpjekjet e tij përfundimisht dështuan. Rama është i vetëdijshëm që humbja në zgjedhje e Thaçit, nënkupton edhe fundin e regjimit të tij”, thuhet në analizën e IFIMES.

Sipas IFIMES në rast se bie Thaçi nga pushteti, një gjë e tillë nënkupton edhe “zbulimin e tentakulave të krimit dhe korrupsionit që Edi Rama ka shtrirë në Kosovë”.

Për institutin slloven, Hashim Thaëçi dhe Edi Rama kanë mentalitet të njëjtë të qeverisjes që sipas tyre mbështetet në “ plaçkitje të aseteve publike, frikësim të qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, mashtrime dhe blerje të votave në zgjedhjet, mashtrim të komunitetit ndërkombëtar, prodhim të vazhdueshëm të krizave dhe mosmarrëveshjeve me opozitën”.

Sipas IFIMES një kaos i tillë iu mundëson të dyve që “ të kontrollojnë dhe ruajnë fuqinë e tyre me shuma të mëdha parash të fituara në mënyrë të pistë”.

Ndër të tjera thuhet se korrupsioni në Kosovë e Shqipëri ka përcaktuar jo vetëm mënyrën e udhëheqjes së vendit, por edhe mënyrën e jetesës.

Instituti slloven paralajmëron se këto zgjedhje të parakohshme do të zbulojnë edhe “rrjetin e mercenarëve të Hashim Thaçit”.

“Gjithashtu do të zbulohet se cilët të dërguar ndërkombëtar dhe zyrtar të shtetit që punojnë për regjimin e Thaçit do të vizitojnë Kosovën në shtator të vitit 2019.  Kjo do të tregojë kush janë ata që janë pjesë e korrupsionit politik dhe diplomatik që e mbanë Thaçin në pushtet”, thuhet ndër të tjera në këtë analizë të IFIMES.

(Kosova Sot Online)