Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike hap hetim për rastin e vdekjes së Artan Venharit

  • 10 September 2019 - 14:51
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike hap hetim për rastin e vdekjes së Artan Venharit

Një person ka humbur jetën e një tjetër është lënduar gjatë një fluturimi me parashutë në Prizren, të shtunën rreth orës 13:00. Bëhet fjalë për 45 vjeçarin Artan Venhari. Për vdekjen e Venharit, Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, sot ka marrë vendim për hapjen e hetimeve.

Lajmin për hapjen e hetimeve e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Sipas Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, hetues përgjegjës është emëruar,  Arben Dika. Në vendimin e marrë nga ky Komision, konstatohet se hetuesi përgjegjës ka për obligim që të përgatis një raport të detajuar, përfshirë rekomandimet lidhur me rastin”, thuhet në komunikatë. 

Vdekjen  e Venharit e kishte konfirmuar për Express togeri i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanolli.

“Rreth orës 13:00, policia është njoftuar për një incident që ka ndodhur në Prizren, në zonën ku bëhen fluturimet me parashutë, ku ka qenë duke ushtruar grupi që bën fluturime. Nga informatat e para, një 45 vjeçar ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një person është lënduar”, ka thënë Osmanolli për Express.

Ndryshe, sezoni i fluturimeve me parashut është hapur zyrtarisht në Prizren më 5 korrik.

(Kosova Sot Online)