“Njohjet”, alarmohet rëndë Kosova: Ja fajtorët për dështimin e madh

  • 10 September 2019 - 16:08
“Njohjet”, alarmohet rëndë Kosova: Ja fajtorët për dështimin e madh

Kosova ka kohë që nuk ka marrë asnjë njohje të re, përkundrazi, disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre...

Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, aktualisht nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosovës iu kanë tërhequr njohjet nga 13 vende të botës, duke paralajmëruar se një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe 10 të tjera në ditë në vijim.

“Janë 13 vende të cilat i kanë tërhequr njohjet. Ne duhet ta kuptojmë njëherë karakterin e shtetësisë tonë. Nëse ne do të ishim anëtarë i OKB-së, njohja do të ishte universale. Në këtë situatë kur një vend e njeh Kosovën duhet të vendosen marrëdhëniet diplomatike. Ka disa të vërteta që janë të lëndueshme”, ka thënë ai.

Image
Gani Qarri

E lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri fajin për dështimin në procesin e njohjeve ia hedhë presidentit aktual, Hashim Thaçit.

“Fatkeqësisht sundimtari turbo-mafioz i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi me luftën dhe propagandimin e vet të vazhdueshëm, në të gjitha kontinentet për ndarjen dhe ndryshimin e kufijve të sajë, jo vetëm se bllokoi të gjitha njohjet e më tejme të Kosovës, por nxiti dhe përshpejtoi edhe ç`njohjet nga shumë vende të ndryshme anë e mbanë botës”.

Më tej, Qarri e akuzon rëndë edhe ish Ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacollin.

"Për një vend si Kosova, presidenti i shitur e renegat i së cilës, përditë përpiqet të bëjë pazare me tokat e saj, dhe kërkon publikisht në gjithë botën, ndryshimin e kufijve, të vërtetuar e vulosur zyrtarisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë qysh nga 21 korriku i vitit 2010 në Hagë, vetëm e vetëm për t`ia falur edhe 1/3 e territorit tonë Serbisë, nuk mund të priten më njohje të reja, por vetëm ç`njohje dhe vijim veprimesh tëhuajsimi e refuzuese. Shtetit të brishtë të Kosovës, ani pse i njohur ndërkombëtarisht nga mese 116 vende, në të katër anët e globit, që ka për ministër të jashtëm një sharlatan e rusofil si Pacolli, i cili jo shumë kohë më parë, kërkonte publikisht që edhe fakultetet e Universitetit të Prishtinës ti kthente në xhami turko-arabe dhe vendoste atyre përmbi edhe kupola ruse, nuk mund ti vijnë njohje të reja", tha Qarri për "Kosova Sot Online".

"Si z.Thaçi i cili në dy vitet e fundit, nuk di të bëjë punë tjetër, përpos këmbënguljes deri në çmenduri,për ndarjen me çdo mënyrë të Kosovës, shtetet e huaja me njerëz si Thaçi, nuk dijnë se ç`të bëjnë tjetër përveç tërheqjes së njohjeve nga dëshpërimi. Tanimë është e njohur publikisht për të gjithë se qysh kur kuislingu i vendit Hashim Thaçi doli me çmendurinë e tij për ndarjen e Kosovës, ndërsa ministri i jashtëm sharlatan me idenë për heqjen e tërësishme të kufijve, jo me Shqipërinë por me Serbinë, u ndalën edhe njohjet dhe filluan të lajmërohen njëra pas tjetrës ç`njohjet , nga shtetet të cilat, e shihnin se nuk i lidhte më asgjë me ne dhe nuk donin për asnjë çmim të kishin punë me njerëz si Thaçi dhe Pacolli", tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli duke shfrytëzuar mundësitë që ua ofronte Veseli, me qëllim të ndarjes sa më të lehtë të Kosovës, përveç bllokimit të njohjeve nga shtetet tjera , shkatërruan pothuajse tërësisht edhe diplomacinë kosovare.

“Shtetet mike SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i kishin bindur edhe shtetet me të largëta me të cilat mbajnë lidhje dhe marrëdhënie ekonomiko biznesore që ato ta njihnin Kosovën shtet të pavarur, por ish kryeparlamentari Kadri Veseli në koordinim me Hashim Thaçin dhe figurat më të larta politike të PDK-s, pas ndarjes së Mitrovicës, i hapën rrugë edhe ricopëtimit të shtetit, duke mos lejuar votimin në Kuvend as të një rezolute të vetme kundër ndarjes së Kosovës dhe tendencës për ndryshimin e kufijve të saj, në pazaret e Thaçit me Serbinë. Madje Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli duke shfrytëzuar mundësitë që ua ofronte Veseli, me qëllim të ndarjes sa më të lehtë të Kosovës, përveç bllokimit të njohjeve nga shtetet tjera , shkatërruan pothuajse tërësisht edhe diplomacinë kosovare që është skandali më i rëndë për koalicionin PAN dhe vet PDK-n, kështu që fatkeqësisht, sot nuk ke çfarë pret tjetër përveç lajmeve kobzezea si ato të zëvendëskryeministrit në largim e nënkryetarit aktual të PDK-s, Enver Hoxhajt se përveç 13 vendeve të cilat tanimë e kanë bërë çnjohjen, të vije paralajmërimi se edhe 10 shtete tjera janë po në atë rrugë dhe në çdo moment mund ta tërheqin edhe ato njohjen e Kosovës shtet i pavarur", përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)