Alarmon analisti: Ja pazaret me ulëset në Kuvendin e Kosovës

  • 10 September 2019 - 18:46
Alarmon analisti: Ja pazaret me ulëset në Kuvendin e Kosovës

“Prijësit e partive politike që shfaqin këto aderime dëshmojnë se sa janë të shkëputur nga brengat e qytetarëve”, tha Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

Lëvizjet e fundit të partive të vogla politike dhe të personaliteteve të ndryshme, për tu bashkuar në listat e përbashkëta zgjedhore me subjekte të caktuara politike, sipas analistëve politikë, është një veprim i cili akoma më shumë po e zhgënjen qytetarin, edhe ashtu të pa kënaqur me këtë spektër politik të konsumuar e të deformuar.

Image
Xhevat Meha

Sipas analistit politik, Xhevat Meha këto lloj lëvizjesh, aderime apo anëtarësime nuk janë gjë tjetër, veçse mashtrime të kohës dhe momentit afatshkurtër, por që nuk mund të zgjojnë interesim pozitiv te qytetari.

“Aderimet ose ngjitjet, që nga fillimi kanë qenë teknikë mashtrimi për votuesit. Me që në të kaluarën partitë politike kanë arrit që të mashtrojnë shumë me këtë teknikë, e vazhdojnë ende, edhe pse tani këto për votuesin janë irrituese dhe jo mësimdhënëse”, tha Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, liderët e këtyre partive politike minore që bëjnë shëtitje të tilla, me këto veprime tregojnë se nuk përfaqësojnë interesin qytetar por vetëm atë personal.

“Prijësit e partive politike që shfaqin këto aderime dëshmojnë se sa janë të shkëputur nga brengat e qytetarëve. Edhe pazare me ulëset në Kuvendit e Kosovës janë kryer me të madhe në të kaluarën. Edhe kësaj si thotë populli i ka dalë fala, është shumë komprometuese tek votuesit. Besoj se në këto pazare do të ketë më shumë kujdes kësaj radhe mirëpo është zor që të gjithë i rezistojnë lakmisë ose llaskucisë si thonë në popull”, tha për “Kosova Sot Online” analisti politik, Xhevat Meha.

(Kosova Sot Online)