Paralajmërohet skenari i 2014-ës: Ja arsyet e krizës së madhe pas zgjedhjeve

  • 11 September 2019 - 07:27
Paralajmërohet skenari i 2014-ës: Ja arsyet e krizës së madhe pas zgjedhjeve

Duke u kthyer në të kaluarën, shohim se asnjë nga qeveritë e deritashme në Kosovë, nuk e ka përfunduar mandatin e plotë 4 vjeçar...

Ishte hera e parë në Kosovë dhe nuk ishim mësuar të shohim një bashkim të partive politike së bashku, siç ishte blloku VLAN në vitin 2014, bllok që ishte krijuar pas zgjedhjeve për ta sfiduar PDK-në, parti kjo që kishte dalë fituese.

Image
Nexhat Haziri

Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj lidhën besën për një bashkëpunim kundër Hashim Thaçit. Edhe pse u munduan e të mbajnë fjalën mes vete, ky bllok që dukej që po shkëlqente, ra duke u bërë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi bashkë dhe për të formuar atë kohë koalicionin PDK-LDK, me kryeministër Isa Mustafa dhe me vonë, Hashim Thaçi president.

E duke u kthyer në të kaluarën, asnjë nga qeveritë e deritashme në Kosovë nuk e ka përfunduar mandatin e plotë 4 vjeçar.

Pas rënies së Qeverisë Mustafa, në krye te shtetit erdhi Ramush Haradinaj në koalicion me PAN-in, në të cilin bëjnë pjesë PDK, AAK dhe Nisma, e më vonë edhe AKR.

As ky koalicion me kryeministër Ramush Haradinaj, nuk pati jetëgjatësi dhe tashmë Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Haradinajt.

Por në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, analistët politik thonë se ka mundësi të përsëritet skenari i vitit 2014.

Analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për "Kosova Sot Online", ka treguar arsyet pse mund të përsëritet kriza e njëjtë, si ajo në vitin 2014.

"Ka shumë mundësi që të na përsëritet skenari i vitit 2014, dhe këtë e bazoj në debatet dhe atë çfarë po e ofrojnë partitë politike, sidomos me vendosje të “vijave të kuqe”, ndaj njëra- tjetrës , e sidomos ndaj PDK-së të cilat tashmë janë shndërruar në moto të fushatës zgjedhore, dhe se cila parti që do të shkelë këto “vija” do të marrë edhe koston, sidomos me ndëshkim nga elektorati i saj", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, polarizimi skajshëm i kësaj fushate parazgjedhore, është një nga faktorët që mund ta çojë Kosovën te skenari i vitit 2014.

"Ku do të mund të jemi në një bllokadë të plotë sa i përket formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, dhe një skenar i tillë do të ketë pasoja të mëdha për vendin. Partitë në këtë fushatë kanë zgjedhur më shumë që t’i shfaqin ato “hasmëritë” e vjetra me njëra-tjetrën, se sa t’i ofrojnë qytetarëve një program të qartë qeverisës, si alternativë për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje e vendnumërimit. I vetmi koalicion që mund të na shpëtoj nga skenari i 2014, është koalicioni LDK-VV, çdo kombinaturë tjetër na e përsërit kohën e ish-VLANIT", përfundoi Haziri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)