Vjen denoncimi i rëndë për ‘peshqit’ e mëdhenj, kjo është frika e tyre

  • 11 September 2019 - 13:48
Vjen denoncimi i rëndë për ‘peshqit’ e mëdhenj, kjo është frika e tyre

“Për sistemin e drejtësisë, që është baza e shtetit ligjor, askush nuk po tregon se ka interes për rregullimin dhe shndërrimin e këtij sistemi në një mekanizëm të së drejtës”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së drejtësisë po i përcjellin me kujdes debatet e hershme që kanë filluar si para fushatë për zgjedhjet e 6 tetorit, lidhur me atë çfarë rëndësie po i kushtojnë partitë politike programit për fuqizimin e sistemit të sundimit të ligjit dhe të pastrimit nga njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty.

Sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendi, edhe pse flitet e bëhet shumë zhurmë për drejtësi, fuqizim të shtetit të së drejtës dhe për ç’kapje të shtetit, as pozita dhe as opozita e tanishme nuk po e premtojnë VETING-un si mjetin kryesor të pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe pavarësimit të tij nga politika.

Image
Muhamet Kelmendi

Prandaj sipas Muhamet Kelmendit, derisa asnjë parti politike nuk e merr si top prioritet projektin për VETTING, të gjitha zotimet tjera për shtet të së drejtës janë vetëm një kozmetikë thjeshtë e mbulimit të realitet kriminal të politikës kosovare, që nuk mundë të shkëputet lehtë nga lidhja 20 vjeçare me krimin e organizuar dhe mafio-oligarkinë e sistemuar deri në kokat drejtuese të partive politike.

“Për sistem të drejtësisë, që është baza e shtetit ligjor, sikundër dhe barazisë para ligjit, askush nuk po tregon se ka interes për rregullimin dhe shndërrimin e këtij sistemi në një mekanizëm të së drejtës. Konsideroj se të gjitha thirrjet dhe zotimet që po bëhen tani për shtet ligjor, për luftimin dhe dënimin e krimit dhe të korrupsionit, të çdo dukurie negative, janë thjeshtë veprime të karakterit kozmetik, që kanë për qëllim kinse për të dokumentuar se sa janë të përkushtuar për shtet të së drejtës dhe sa po punohet të luftohet për shtet të sundimit të drejtë të ligjit”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online “. 

Sipas profesor Kelmendit, fakti që me ligjin VETTING do të goditeshin edhe shumë “peshq” të mëdhenj të politikës, ky ligj shihet si një gogol i madh i frikshëm për politikanët dhe njerëzit e korruptuar në sistemin e drejtësisë.

“Kemi theksuar me mijëra herë se organet që e luftojnë krimin, janë në gjendje të rëndë. Sidomos në prokurori dhe në gjykata duhet intervenuar me sistem të VETING-ut, duke e bërë spastrimin e sistemit nga njerëzit që nuk e kalojnë atë. Të tillë ka mjaft. Ka të tillë në polici, ka edhe në AKI, në gjykata sikurse edhe në agjencitë tjera antikrim dhe kundër korrupsionit. Këtë dukuri e provon pasuria që kanë kompetentët në këto mekanizma si dhe vetë pasuria e politikanëve dhe e mafiozëve në sistemin ekonomik privat”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, sipas Kelmendit VETTING-u pak sa mundë të vonohet, por detyrimisht duhet të miratohet dhe zbatohet.

“Forma e vetme për ta pastruar dhe shëruar këtë sistem të drejtësisë që lëngon shumë nga lidhjet me politikën, ku kemi njerëz të pasuruar me dyshime të kundërligjshme, mbetet ligji VETTING. Tash për tash kjo nuk po bëhet akoma as nuk po premtohet madje sepse ekziston frika që do të kapen shumë peshq të mëdhenj të skenës politike dhe ekomomike, e të cilët e kanë pasur në të kaluarën dhe që e kanë edhe sot pushtetin në duar prandaj pikërisht të tillët janë ata që nuk e lejojnë miratimin dhe zbatimin e një ligji të tillë”, përfundoi në fund, Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)