Ambasadori Kosnett përkujton sulmet e 11 shtatorit në SHBA

  • 11 September 2019 - 16:09
Ambasadori Kosnett përkujton sulmet e 11 shtatorit në SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato kanë pasur ndikim në gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe se amerikanët nuk kanë qenë viktimat e vetme të tyre.

“Njerëz nga 77 shtete kanë vdekur në sulme. Ky ka qenë sulm mbi civilizimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se amerikanët do të kujtojnë gjithmonë mbështetjen që ka pranuar SHBA-ja nga gjithë bota, duke përmendur edhe Kosovën.

“Pas sulmit, në gjithë Kosoën njerëzit janë mbledhur në përkrahje të SHBA-së, kanë ndezur qirinj dhe kanë dhuruar gjak. Disa qytetarë të Kosovës edhe kanë qenë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë amerikane në Luftën Globale kundër Terrorizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.

Përveç tjerash, ai ka shtuar se kjo mbështetje ka qenë konfirmim i lidhjes së fortë të njerëzve të Amerikës dhe popullit të Kosovës.

Gjatë ditës në Prishtinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës është inauguruar memoriali “Kosova kujton”.

Në ceremoni, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.

Si pasojë e sulmit terrorist të 11 shtatorit në Kullat Binjake në Nju Jork kanë vdekur rreth 3,000 persona.

Ky sulm është kryer nga një grup prej 19 islamistëve radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Militantët e Al-Kaidës kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

(Kosova Sot Online)