Dëshmitari në rastin “Stenta”: Tefik Bekteshi më tha se e kam vetëm një stent, jo gjashtë

  • 11 shtator 2019 - 16:44
Dëshmitari në rastin “Stenta”: Tefik Bekteshi më tha se e kam vetëm një stent, jo gjashtë

Dje është mbajtur seanca e radhës në rastin “Stenta 2” ku janë të akuzuar 42 mjekë nga Prokuroria e Shtetit. Në këtë seancë është deklaruar dëshmitari Abaz Osmani

Në dëshminë e tij, që zgjati afër gjashtë orë, dëshmitari Osmani u është përgjigjur pyetjeve si dhe ka polemizuar me të akuzuarit Gani Bajraktari, Faik Shatri dhe Nexhmi Zeqiri. Ky i fundit kërkoi nga dëshmitari Osmani të përgjigjet për deklaratën e tij kur kishte thënë se nga një kontrollë që kishte bërë te mjeku Tefik Bekteshi, kishte dalë se nuk i kishte gjashtë stenta. Zeqiri kërkoi të dijë nga Osmani nëse një konstatim të tillë e ka me shkrim apo vetëm gojarisht i ishte thënë.

“Unë e posedoj at konstatim, e kom rezultatin dhe jonë incizimet e ultrazërit dhe në raportin që ma ka dhënë nuk shkrun qe e kom vetëm një stent por gojarisht me ka thëne qe e kam vetëm një stent”, u përgjigj Osmani.

Lidhur me dëshminë e Osmanit, i akuzuari Gani Bajraktari, i propozoi trupit gjykues që të ftojë si dëshmitar mjekun Tefik Bekteshi që të dëshmojë lidhur me atë që kishte deklaruar dëshmitari se nuk i kishin vendosur gjashtë stenta. Po ashtu, Bajraktari propozoi që të ftohet si dëshmitare edhe Alberie Thaqi, infermiere e kardiologjisë nga e cila tha se duhet të kërkohet të deklarohet saktësisht se sa pacientë janë stentu nga viti 2010 deri në vitin 2015, sa stenta janë blerë dhe sa pacient me infarkt akut janë trajtuar deri më 10 shtator 2014, kur Bajraktari ishte zgjedhur drejtori i Klinikës së Kardiologjisë.

“Ju lus te lexoni edhe nenin 24 te Ligjit për Shëndetësi qe i obligon mjeket qe te referon pacientet per shërim jashtë institucionit publik per ato sëmundje qe nuk shërohen ne QKUK”, tha Bajraktari.

Në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa. Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti. Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro. Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet. Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet. 

(Kosova Sot Online)