Akuza e rëndë: Ja grupi i nëntokës kriminale që kontrollon drejtësinë kosovare

  • 11 September 2019 - 18:20
Akuza e rëndë: Ja grupi i nëntokës kriminale që kontrollon drejtësinë kosovare

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës janë futur njerëz të sistemit të inkriminuar dhe këta gjyqtarë janë edhe pjesë e KGJK-së, të cilët i kontrollojnë lëndët gjyqësore dhe influencojnë vendime gjyqësore.

Për tu quajtur shtet normal së paku duhet të kthehen sytë nga drejtësia dhe të ketë të paktën drejtësi karshi qytetarëve. Në Kosovë lirshëm mund të themi se që nga paslufta e kemi pasur një sistem të drejtësisë të dështuar, edhe pse secila qeveri që ka qenë në pushtet është zotuar se do të bëhet reformim në drejtësi, por duke dështuar ta bëj një gjë të tillë.

Edhe 20 vite pas luftës, në Gjykata dhe Prokurori shumë dosje tashmë janë të mbuluar nga buhuri dhe janë lënë në harresë. 

Në Kosovë lirshëm mund të themi se ligji mbetet vetëm në letër, në vend të tij sundon anti-ligj, ku ekziston një numër i madh i politikanëve të inkriminuar dhe grupet e interesit të "nëntokës" kriminale kanë prodhuar një sistem të tillë, i cili nuk prodhon drejtësi dhe siguri juridike për qytetarët.

Sipas analistëve dhe njohëseve të fushës së drejtësisë, institucionet në Kosovë vazhdojnë të heshtin, edhe pse ka reagime të ndërkombëtare, të cilët në raportet e tyre theksojnë shumë qartë që sistemi i drejtësisë në Kosovë është kapur nga politika dhe krimi i organizuar.

E sipas analistit politik, Florim Zeqa në Kosovën e sotme, si pasojë e kapjes së sistemit të drejtësisë sundon anarkia në vend të ligjit.

Image
Florim Zeqa

"Politika e inkriminuar dhe grupet e interesit të lidhura me nëntokën kriminale, kanë ndërtuar një sistem të "drejtësisë", i cili në vend që të ndajë drejtësi dhe siguri juridike për të gjithë qytetarët, ka prodhuar sistem të dyfishtë, sundim të mafias dhe nëntokës kriminale", tha Zeqa për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, politika e inkriminuar dhe grupet e interesit janë duke e mbajtur peng sistemin e drejtësisë, të cilin e kanë shndërruar në filiale të nëntokave partiake.

"Një grup i vogël i njerëzve të nëntokës politike e kanë futur komplet sistemin e drejtësisë në duart e tyre. Këshillin Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht gjyqtarët që janë pjesë e KGJK-së i kanë shndërruar në instrument për interesat e tyre personale dhe klanore, duke ua kontrolluar lëndët gjyqësore dhe influencuar vendimet gjyqësore, duke i shantazhuar kolegët me vota për ti ngritur në detyrë, nga njëra Gjykate ne tjetrën", shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Tutje, analisti Zeqa shtoi se kjo gjendje e mjerueshme në sistemin e drejtësisë, është bërë shqetësim i organizatave ndërkombëtare që merren me monitorimin e proceseve gjyqësore. 

"Edhe përkundër reagimeve të shumta dhe raporteve ndërkombëtare, ku thuhet qartë se sistemi i drejtësisë në vend është e kapur nga politika dhe krimi i organizuar, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të heshtin, duke i përligjur të gjitha vërejtjet dhe shqetësimet e ekspertëve ligjor dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë", përfundoi Zeqa për "Kosova Sot Online".

Ndryshe, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës janë futur njerëz të sistemit të inkriminuar dhe këta gjyqtarë janë edhe pjesë e KGJK-së, të cilët i kontrollojnë lëndët gjyqësore dhe influencojnë vendime gjyqësore.

(Kosova Sot Online)