Detaje të reja nga aksidenti i qëllimshëm i “Benz G Class” 200 mijë eurosh

  • 12 September 2019 - 21:10
Detaje të reja nga aksidenti i qëllimshëm i “Benz G Class” 200 mijë eurosh

Pavarësisht se u raportua si një aksident rrugor, Policia e Tiranës po e heton rastin ku u gjet përmbys një automjet luksoz dhe i blinduar si një atentat i mbetur në tentativë.

Eldin Dergjini, i cili pretendon se ishte ai në drejtim të mjetit tip “Mecedez-Benz G Class” me vlerë 200 mijë euro, ka shkuar në një spital privat rreth 1 orë pas ngjarjes të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë ish-sheshit “Shqiponja”.

Ai ka deklaruar se pas makinës së tij të blinduar me targa ruse ka qenë një automjetet tjetër që kryente manovra të dyshimta.

Sipas 34-vjeçarit Dergjini, ai u detyrua të shtonte shpejtësinë, pasi një tjetër makinë i zuri rrugën nga para.

“Përshpejtova dhe humba kontrollin e makinës. U largova me një taksi dhe shkova për ndihmë mjekësore më vonë. Kam qenë i vetëm në automjet”, u shpreh Dergjini.

Dëshmia e të riut nuk ka qenë shumë bindëse për grupin hetimor pasi, ende nuk është zbuluar se kush ishte taksisti që e dërgoi në spital, por as makina që e ka goditur nga pas.

Eldin Dergjini udhëtonte me një makinë të blinduar, pasi dyshohet se i ruhej një atentati të mundshëm ndaj tij. 34-vjeçari po hetohet edhe për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura kohët e fundit në kryeqytet por që kanë mbetur pa autor.

Ai kishte falsifikuar targat e mjetit të tij me ato të një automjeti tjetër po aq luksoz, si “Bentley Continental GT”, e cila rezulton e regjistruar në shtetin rus. Nuk dihet se, prej sa kohësh ka lëvizur në territorin shqiptar një makinë e blinduar e cila kishte edhe parregullsi në dokumentacion.

Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedentë të mëparshme penale dhe për këtë arsye kishte ndryshuar edhe mbiemrin e tij nga Barova në Dergjini. Ai ka qenë i dënuar në vendin tonë për kundërshtim të punonjësit të rendit publik, armëmbajtje pa leje si edhe trafik droge në Itali.

(Kosova Sot Online)