Profesori i njohur ‘godet’ rëndë Thaçin: Ja pse duhet të shkarkohet

  • 13 September 2019 - 07:34
Profesori i njohur ‘godet’ rëndë Thaçin: Ja pse duhet të shkarkohet

Fakte për shkarkim ka mjaft. Ato fillojnë me dyshime për pasurim dhe për korrupsion, për rastin "Pronto”, për marrëveshjet e nënshkruara...

Analistët politikë dhe njohës të fushës së të drejtës, duke përcjell skandalet e një pasnjëshme në politikën e jashtme të kreut të shtetit, Hashim Thaçi, kryesisht në bisedimet me Serbinë dhe tentativën për ndarjen e Kosovës në marrëveshje me presidentin serb Vuqiq, konsiderojnë se legjislatura e re ka mundësi të mbledh fakte të mjaftueshme, hap pas hapi, mbi bazën e të cilave Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, do të mundet që me urgjencë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe të kërkojë interpretimin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga Hashim Thaçi, në mënyrë që të arsyetohet edhe mocioni për shkarkimin e tij nga pozita e Presidentit të shtetit, për të eliminuar kështu tërësisht rrezikun nga agjenda e ndarjes.

Se ky kusht është i plotësuar që tani, e thotë edhe profesori i së drejtës dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

“Natyrisht se kushtet ligjore për hapjen e procedurës për shkarkimin e z. Thaçi nga pozita e Presidentit ekzistojnë. Vetëm duhet që Kuvendi me iniciativën e 1/3 e deputetëve të hapi procedurën, dhe duhet të shqyrtohet çështja”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, procedura është shumë e thjeshtë dhe e shkurtër për të marr opinionin e Gjykatës Kushtetuese në raste të tilla.

“Paraprakisht, kërkesa e tillë me fakte i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila shqyrton dhe vendos për 7 ditë, nga dita e marrjes së çështjes në shqyrtim. Po sipas venit 91, paragrafit 3, çështja vazhdon punën dhe me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve dhe shkarkohet Presidenti”.

Pra, sipas Kelmendit çështjet janë të qarta në aspektin ligjor, dhe ndryshe nuk ka bazë shkarkimi.

“Përjashtim bën vetëm kryerja eventuale e veprës së rëndë penale kur shkarkohet me automatizëm. Kelmendi konsideron se në pyetje është vetëm kalimi i afatit zgjedhor dhe krijimi i legjislaturës së te të Kuvendit të Kosovës për ta iniciuar shkarkimin e Presidentit për shkak të Shkeljes së Kushtetutës në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të korrupsionit, dhe kjo gjithsesi që duhet dhe të ndodhë. Fakte për shkarkim ka mjaft. Ato fillojnë me dyshime për pasurim dhe për korrupsion, për rastin "Pronto”, për marrëveshjet e nënshkruara e shumë e shumë çështje tjera. Tërë kjo çështje varet nga Kuvendi dhe nga Gjykata Kushtetuese”, tha në fund profesori i së drejtës dhe njohës i zhvillimeve politike, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)