‘Godet’ rëndë ish agjenti i SHIK-ut: Flet për 60 mijë veteranët, zbulon ‘Mafinë e Komandantëve’

  • 13 September 2019 - 07:39
‘Godet’ rëndë ish agjenti i SHIK-ut: Flet për 60 mijë veteranët, zbulon ‘Mafinë e Komandantëve’

Rritja e numrit të veteranëve, pos fitimit të parave pa djersë, qëllimin kryesor e kanë te votat politike elektorale. Sipas Miftari, janë mbi 80.000 deri 100.000 vota të sigurta, të cilat vijnë vetëm nga veteranët e rrejshëm dhe familjarët e tyre të ngushtë...

Pas reagimi të fundit që kanë bërë këto ditë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për keqpërdorimin statusit të veteranit të luftës së UÇK-së, duke u ankuar se ka indikacione nga terreni ku janë duke lëshuar dhe po lëshohen ende certifikata të reja të statusit të veteranit, edhe ish veterani i UÇK-së, njëherësh ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë për “Kosova Sot Online “ se ky abuzim në vazhdim po bëhet me qëllim të joshjes së njerëzve për të jua blerë votën për zgjedhjet e 6 tetorit.

Image
Naim Miftari

Sipas Miftarit, është shumë e sigurt që në këto zgjedhje pikërisht vota e listës së trefishuar, e atyre 60 mijë veteranëve të luftës, do të jetë votë e garantuar për ish partitë në pushtet, vota e cila do t’i shpëtojë ato të mos turpërohen dhe të ndëshkohen turpshëm nga shumica qytetarëve të zhgënjyer nga krimi dhe korrupsioni, nga mashtrimi për të gjitha këto mandatet e fundit që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, sepse ndonjë nga tri partitë e koalicionit PAN as pragun zgjedhor nuk do ta kalonin pa bërë abuzim votash.

Sipas Miftarit, vazhdimi i rritjes së numrit të veteranëve edhe në këtë kohë para fushate zgjedhore, përveç votës, abuzuesve të këtij procesi ju sjell edhe përfitime materiale.

“Rritja e numrit të veteranëve, pos fitimit të parave pa djersë, qëllimin kryesor e kanë te votat politike elektorale pasi që me vetëm 170 euro që i marrin jo ligjërisht, ata sigurojnë ekzistencën politike, pasi që e dimë fare mirë se edhe sot kemi disa ish deputet të parlamentit që janë bërë deputet pikërisht me votat e veteranëve të rrejshëm. Mos të harrojmë se janë mbi 80.000 deri 100.000 vota të sigurta të cilat vijnë vetëm nga veteranët e rrejshëm dhe familjarët e tyre të ngushtë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, kjo lojë kriminale me statusin e luftëtarit të lirisë po luhet nga kapësit e shtetit, pasi ata janë mbi ligjin dhe nuk ka se kush të merret me ta akoma, derisa nuk ndërron tërësisht politika që qeverisë me vendin.

“Kështu është kjo gjendje kur dihet se këto parti politike janë të kapura nga krimi i organizuar, e ku krimi i organizuar është vetë shteti, është parlamenti, është prokuroria, është policia dhe AKI-a. Edhe vetë kryetari i shtetit, kryeministri dhe krye parlamentari vijnë nga votat e blera, nga votat e kushtëzuara me një vend pune, një pension apo një ndihmë sociale”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Ish agjenti i SHIK-ut thotë se fare mirë dihet qëllimi pse është trefishuar numri i veteranëve të UÇK-së, sepse tani më ky shumëfishim ka marr ngjyrë dhe karakter politik,ka marr edhe karakter rajonal, duke u shtyrë rajonet e Dukagjinit, Drenicës e Llapi, kush ka pasur më shumë luftëtar, por jo vetëm kaq, ka kaluar edhe në krim të organizuar.

“Fatkeqësisht shtimi i numrit të veteranëve të luftës ka edhe tipare të krimit të organizuar ku certifikatat e veteranit, të luftëtarit, janë blerë me pare nga "komandantët", në këtë lojë janë futur edhe njerëz nga OVL-ja me një rol negativ. Aty kemi njerëz, zyrtar të OVL –së që në vend se ta ruajnë interesin e luftëtarëve të vërtetë, ata kanë shkuar në krahun e gabuar dhe vetëm me qëllim të përfitimit personal i kanë shtuar edhe mijëra veteran të tjerë mashtrues në mesin e listave të luftëtarëve të vërtetë të luftës”, theksoi Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Ish agjenti i SHIK-ut thotë se rastësisht ka qëlluar prokurori i guximshëm Elez Blakaj që e ka hapur këtë rast dhe e ka bërë publik, ndryshe gjithçka do të përfundonte në heshtje dhe opinioni nuk do të merrte vesh se çka ka ndodhur, por është një fat i keq që ky njeri u kërcënua dhe çështja ka mbetur pezull e nuk ka se kush ta trajton si duhet.

“Dihet fare mirë se po të mos ishte rasti i prokurorit special Elez Blakaj i cili e bëri publik skandalin, dhe më pastaj u frikësua nga ndjekja, kërcënimi dhe kryqëzimi institucional, vetëm pse ju kundërvu "Mafisë së Komandantëve", ky rast nuk dot hapej fare, nuk do të shkonte në gjykatë, do të harrohej pasi prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës sillen si kukulla të politikes. Ata janë vetëm lodra të nëntokës politike. Si frikacakë që janë nuk do të ishin marr kurrë guxim që ti thërrisnin në përgjegjësi "Mafien e Komandantëve" të cilët nuk janë fajtorët kryesor, por janë bashkëfajtor me ish politikanët e luftës si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj...e njerëz që në mënyra të ndryshme kanë qenë pjesë e luftës dhe sot janë ngritur aksidentalisht si politikanët kryesor të Kosovës”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)