E provokoi duke i përmendur gruan, Abazi thotë se ia fal Molliqajt kacafytjen me një kusht

  • 13 September 2019 - 08:38
E provokoi duke i përmendur gruan, Abazi thotë se ia fal Molliqajt kacafytjen me një kusht

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, është shprehur i gatshëm t’ia falë atë që ndodhi mbrëmë ndërmjet tij dhe Dardan Molliqajt, pas debatit, në Emisionin Presssing, nëse ky i fundit do të shprehte një kërkim faljeje publike.

Komentet Abazi i bëri në medie, me ç’rast Molliqaj nuk ishte i qasshëm për këtë medium, sikur edhe për policinë që nga nata e shkuar kur ndodhi incidenti që u raportua.

Pasi ka shpjeguar edhe një herë kronologjinë e ngjarjes, i pyetur nga ‘RADIO 1’ se a do të ishte i gatshëm që do gjë që ndodhi mbrëmë t’ia falte Dardan Molliqajt, Abazi u shpreh se po.

“Unë nuk kam hyrë në politikë për të bërë konfrontime e as për t’u marrë me raste të tilla dhe për t’u marrë me çështje të cilat mund të jenë të nisura prej motiveve që ai ose kushdo tjetër mund t’i dijë. Natyrisht që falja është akt edhe njerëzor edhe intelektual. Nuk kam asgjë personale me z. Molliqaj. Mendoj që nuk na bën nder as neve, as popullit, as vendit konfrontimi fizik. Mendoj që edhe përballja në debate duhet të ndodhë në nivelin profesional e jo me goditje personale dhe tentim për njollosje të personalitetit”, tha Abazi.

Përderisa Abazi i VV-së tha se ka gatishmëri t’ia falë këtë akt Molliqajt të PSD-së, njësoj nuk shprehu gatishmëri edhe për t’u ballafaquar në të ardhmen në debat me të.

“Jo, dhe jo sepse unë nuk mendoj që populli ynë, qytetarët tonë, votuesit meritojnë çfarëdo lloj stërkeqje të debatit. Nuk mendoj që në asnjë formë unë duhet të ballafaqohem një debat të tillë në të ardhmen.”.

Policia ka marrë në pyetje Haki Abazin mbrëmë përderisa, sipas Abazit, Dardan Molliqajn nuk ka pasur mundësi ta intervistojë ende.

Çfarë ndodhi?

Debati i mbrëmshëm ishte i ashpër mes ish-kolegëve të Vetëvendosjes, por kulmi arriti kur Abazi i përmendi Molliqajt bashkëshorten, ministre të Arsimit në Tiranë.

Molliqajt tha bashkëbiseduesit të tij Haki Abazi ndër të tjera se po e përmend kash shumë sa do ti shfaqet edhe në ëndërr.

“Veç një batutë po e lshoj, qysh ja ka nis Hakia me më përmen shpesh, tutna edhe andërr don me m’pa sonte”, tha Molliqaj, sapo kishte dalë nga studioja dhe po ecte në korridor. E këtu çështja u shndërrua në inat profesional në konflikt familjar, pasi abazi me malinjitet, vendosi ti përmenë gruan ministre Dardanit. Në batutën e tij kishte jo vetëm dashakeqësi por edhe një nëntekst të ulët: “Ty nuk të shoh në andërr kurrë, ty as gruaja jote nuk të sheh në andërr” ia ktheu ai.

Pas kësaj ndodhi përplasja fizike mes tyre kur emisioni ishte në reklama.

(Kosova Sot Online)