Policia kontrollon barnatoret e Gjakovës, kapin barna të dyshimta me shumicë

  • 13 September 2019 - 10:51
Policia kontrollon barnatoret e Gjakovës, kapin barna të dyshimta me shumicë

Policia ka bërë të ditur se në dy raste të ndara në Gjakovë janë gjetur rreth 300 paketime me barna pa banderola.

Rasti i parë ka ndodhur në rrugën Anton Çeta në Gjakovë mëngjesin e së enjtes ku njësia policore dhe inspektorët farmaceutik kanë bërë kontrollimin e barnatores së të dyshuarës ku kanë gjetur dhe konfiskuar 244 paketime të llojeve të ndryshme të cilat kanë qenë pa banderola.

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, theksohet në raportin e policisë.

Në rastin e dytë i cili ka ndodhur në rrugën Konferenca e Bujanit, po ashtu në Gjakovë, njësia policore dhe inspektorët farmaceutik gjatë kontrollimit në një barnatore kanë gjetur dhe konfiskuar 110 paketime të llojeve të ndryshme të cilat kanë qenë pa banderola dhe nuk dihet prejardhja e produkteve.

Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

(Kosova Sot Online)