Schwarzenberg: Haradinaj nuk udhëtoi për në Pragë shkaku i deklaratave të Zemanit

  • 13 September 2019 - 11:32
Schwarzenberg: Haradinaj nuk udhëtoi për në Pragë shkaku i deklaratave të Zemanit

Republika e Çekisë ka qenë organizatore e takimit të Grupit të Vishegradit, ku ishin ftuar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.

Megjithatë ftesës së Pragës zyrtare i është përgjigjur negativisht kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, me arsyetimin se Kosova tashmë ka hyrë në një fazë të re politike dhe në përgatitje për zgjedhjet e reja.

Në të njëjtën kohë i ka kërkuar falje, kryeministrit çek, Andrej Babish, për mos shkuarjen në Pragë.

Megjithatë një shpjegim më ndryshe për mos shkuarjen e Haradinajt në Pragë, ka pasur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Schwarzenberg, i cili ka thënë se shkaku i refuzimit të ftesës nga Haradinaj kanë qenë pikërisht deklaratat e bëra nga presidenti Millosh Zeman, i cili nga Beogradi deklaronte se do të fillojë një nismë për shqyrtimin e tërheqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës.

Schwarzenberg ka thënë se një gjë e tillë ka dëmtuar edhe raportet diplomatike mes dy shteteve, pasi që shteti çek kishte bërë përgatitje për konferencën e V-4, dhe mospjesëmarrja e Kosovës ia ka humbur kuptimin gjithë takimit.

“Paj po, mund të çrregullojë marrëdhëniet diplomatike. Tashmë ka dëmtuar politikën tonë të jashtme, sepse Ministria e Jashtme ka përgatitur për një kohë të gjatë konferencën me Ballkanin Perëndimor. Tash Kosova ka refuzuar të vijë në Pragë pas këtyre fyerjeve, duke ia humbur kuptimin kësaj konference.”, ka thënë Schwarzenberg.

Ndërkohë teksa ka folur për qëndrimet e Zeman, Schwarzenberg ka thënë se s’ka ndodhur asnjëherë në histori të Çekisë që të tërhiqet njohja ndaj ndonjë shteti.

Qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe Ministria e Puënve të Jashtme të Çekisë, ndërkohë kryeministri, Andrej Babish, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.

Teksa ka folur për mospjesëmarrjen e Haradinajt, Babish ka thënë që ka pranuar letrën dhe kërkimfaljen e tij, dhe ka shtuar se qëndrimet e Haradinajt në Pragë i ka shprehur ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu.

(Kosova Sot Online)