Skenari me kandidatët e rinj, Haziri me akuza për partitë politike

  • 13 September 2019 - 12:20
Skenari me kandidatët e rinj, Haziri me akuza për partitë politike

“Këto lista me të ashtuquajturit emra të rijnë, të aderuarve së fundi nëpër parti politike, thjeshtë po ju shërbejnë liderëve partiak për ta manipuluar opinionin dhe votuesin gjoja për hapjen e tyre ndaj ideve të reja, njerëzve të rijë, e në fakt janë po ato të vjetrat ku vendimet i marrin të “fortit” e partisë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Kur i shohim listat me emra për deputet të të gjitha partive politike, duke filluar nga pjesa e mesme e listës e deri në fund, fitohet përshtypja që janë bërë ndryshime të mëdha me freskimin e tyre nga zgjedhjet e kaluara kur dominoheshin fund e krye nga ish deputetët me nga dy tre mandate.

Image
Nexhat Haziri

Mirëpo analistët politikë, theksojnë se vetë fakti që në pjesën e epërme të listës dominojnë figurat e vjetra të konsumuara me vite te tëra në politikë, dhe që kanë qenë nga dy tre herë në mandatin e deputetit, kjo dëshmon që emrat e rijnë nga mesi e deri në fund të listës janë futur vetëm sa për konsum publik dhe për krijimin e përshtypjes kinse ka filluar të ndryshon diçka në favor të rifreskimit të partive politike me kuadro të reja.

Analisti politik, Nexhat Haziri konsideron se derisa nuk renditen emra të rinj menjëherë pas bartësit të listës, në mesin e dhjetëshes apo 20 emrave të pjesës së epërme të listës, atëherë pjesa tjetër e kandidatëve duhet të luftojnë shumë për votën, pasi duke u renditur drejt fundit mbeten krejtësisht nën hijen e “kurorës” së të parëve, dhe krejtësisht si të pa rëndësishëm, vetëm si numra që subjekti politik e ka për obligim t’i renditë në listë.

“Emrat e rijnë në listat e kandidatëve për deputet të partive garuese në zgjedhjet e 6 tetorit, janë pa influencë politike dhe të vendimmarrjes në partitë për të cilat ata garojnë. Këto lista me të ashtuquajturit emra të rijnë, të aderuarve së fundi nëpër parti politike, thjeshtë po ju shërbejnë liderëve partiak për ta manipuluar opinionin dhe votuesin gjoja për hapjen e tyre ndaj ideve të reja, njerëzve të rijë, e në fakt janë po ato të vjetrat ku vendimet i marrin të “fortit” e partisë që edhe pse në ndonjë rast edhe mund të mos jenë përfshirë në lista, këta në prapaskenë dirigjojnë gjithçka që ka të bëjë me partinë dhe vendim marrjen politike dhe jo vetëm”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, kjo formë e ruajtjes së monopolit në lista nga të fortit dhe servilët e liderëve të partive është bërë tani më ligj që nuk mundë të thyhet, derisa ato si strukturë drejtuese, pra partitë politike, drejtohen nga grupe të ngushta klienteliste që dirigjojnë edhe dizajnimin e listës për deputet, madje në masë të madhe edhe votën për ta.

”Ky është funksionimi i partive politike në Kosovë ku gjithçka vendoset nga një grup I ngushtë njerëzish apo edhe në disa raste lideri, e që tregon qartë për mos funksionimin e demokracisë së brendshme në këto parti politike dhe rrjedhimisht kjo ndikon edhe në demokratizimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë, pasi kuptohet se metodat e funksionimit të këtyre partive politike po bartën edhe në nivel pushtetesh qoftë në atë lokal apo qendror”, përfundoi analisti, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)