Vëzhguesit e BE-së nisen drejt Kosovës

  • 14 September 2019 - 08:19
Vëzhguesit e BE-së nisen drejt Kosovës

Bashkimi Evropian ka vendosur të dërgojë mision vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini, emëroi Viola von Cramon-Taubadelin shefe të këtij misioni.

Mogherini tha se ky hap riafirmon përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së për të mbështetur proceset demokratike në Kosovë.

“Të gjitha palët dhe komunitetet e interesuara duhet të jenë të angazhuara në këtë proces dhe të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës. Këto zgjedhje zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, e cila duhet të bëjë përparim në rrugën evropiane, si në reforma, ashtu edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Mogherini.

Vendimi i BE-së për të dërguar mision monitorimi vjen pas thirrjes së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tek institucionet e Brukselit.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 6 tetor.

Ato janë thirrur pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti, në muajin korrik.

(Kosova Sot Online )