Kandidati i VV-së për deputet e quan shpend ahmetin të pafytyrë

  • 14 September 2019 - 14:53
Kandidati i VV-së për deputet e quan shpend ahmetin të pafytyrë

Zyrtarët e Vetëvendosjes dhe PSD-së kanë vazhduar të përplasen me fjalë pas përleshjes fizike që ndodhi ndërmjet Dardan Molliqajt e Haki Abazit në emision.

Shpend Ahmeti e ka vënë kusht largimin e Molliqajt nga lista për deputet me heqjen e Liburn Aliut nga gara elektorale. Por, ish-drejtori i Urbanizmit në Prishtinë thotë se një paralele e tillë është e paqëndrueshme derisa thotë se i pari i Prishtinës është i pafytyrë.

Kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Liburn Aliu e ka lënë fajtor Shpend Ahmetin pse s’kishte shkuar në shtëpi kur e kishte grushtuar Muhamet Selmanin e PDK-së, në prill të vitit 2015, sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Këtë përgjigje Aliu e ka dhënë pasi Kryetari i Prishtinës tha se do ta largojë Dardan Molliqajn nga lista për deputet nëse njësoj vepron Vetëvendosje me zyrtarët që kanë qenë të përfshirë nëpër sulme fizike.

Ish-zyrtari i VV’së, Dardan Molliqaj, tash kandidat i AAK-PSD për deputet u përfshi në një përleshje fizike me Haki Abazin e Partisë së Albin Kurtit, pas një debati me plot akuza në Pressing.

Tash, Liburn Aliu drejton gishtin kah Shpend Ahmeti pse s’ia kishte pranuar dorëheqjen. E quan ish-shefin e tij të pafytyrë.

“Është pafytyrësi prej anës tij, pyetja duhet me iu bë atij pse nuk e ke shkarku Liburn Aliun atëherë kur unë kam qenë i gatshëm me ia dhanë dorëheqjen”, kujton Aliu kohën kur ishte përleshur me zyrtarin e PDK’së.

Ish-drejtori në Komunën e Prishtinës thotë se me këtë rast është marrë drejtësia derisa ka paguar edhe gjobë për rrahjen që ka pasur.

Megjithëkëtë, zyrtari i VV-së i kërkon edhe tash përgjegjësi Shpend Ahmetit për përleshjen e Molliqajt me Abazin derisa kërkon të merren masa.

Aliu është në linjë të njëjtë me Vetëvendosjen e cila kërkoi largimin e Molliqajt nga gara për deputet dhe e quajti edhe bandit.

“Shumë është e drejtë kërkesa e VV-së që Dardan Molliqaj të hiqet nga lista për kandidat për deputet, edhe unë atëherë kam qenë i gatshëm me u tërheq por Shpend Ahmeti ka insistu që mos me u tërheq unë”, ka thënë Aliu.

Dardan Molliqaj edhe kur ishte pjesë e Vetëvendosjes kishte pasur gjuhë e veprime të njëjta ndaj kundërshtarëve politikë. Po më 2015, ish-Sekretari i VV-së kishte marrë rolin e policit, duke nxjerr nga vetura një zyrtar qeveritar. Për këtë rast, Prokuroria dhe as Policia s’kanë zhvilluar as hetime pavarësisht se gjithçka ishte e xhiruar.

Tash, në mbrojtje të Molliqajt ka dalë shefi i tij partiak.

Shpend Ahmeti ka thënë se do ta largojë Molliqajn nga gara posa të njëjtë ta bëjë Vetëvendosje me Liburn Aliun.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale, më 2017,  ishte renditur e dyta pas koalicionit PAN, por, ishte partia e parë me numrin më të madh të deputetëve: 32. Mirëpo, në pranverën e viti 2018, 12 deputetë të VV’së rikrijuan PSD’në dhe zgjodhën Shpend Ahmetin Kryetar.

Prej asaj kohe akuzat ndërmjet këtyre dy partive që synojnë pushtetin s’janë ndalur. Për dallim prej herëve tjera, në këtë fushatë ende s’e kanë përmendur rastin e Astrit Deharit.

Akuza e fundit e zyrtarëve të PSD-së drejtuar atyre të VV-së ishte se Liburn Aliu në Tiranë kishte rrahur një këngëtar.

(Kosova Sot Online)