Alarmon ish eprori i lartë i UÇK-së: Ja si po abuzohet me listat e veteranëve për përfitim votash

  • 15 September 2019 - 20:14
Alarmon ish eprori i lartë i UÇK-së: Ja si po abuzohet me listat e veteranëve për përfitim votash

I gjihë aktiviteti duhet të shpallet zero, të fillohet nga e para, jo komisione nëpër zona. Një komision i vetëm për të gjithë pretenduesit, kritere të njëjta me vlerësuesit e njëjtë...

Në pritje të zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë politike në pushtet duket se kanë filluar që të bëjnë llogari serioze për të përfituar vota të sigurta duke ju rikthyer edhe një herë çështjes së veteranëve të luftës së UÇK-së, vazhdimit të fryrjes së listave duke shpërndarë certifikata të reja për kinse statusin e veteranit të luftës.

Për këtë keqpërdorim të radhës, ka reaguar seriozisht edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka shprehë shqetësimin e thellë për keqpërdorimin e vazhdueshëm të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së, duke u ankuar se që nga koha e marrjes së materialeve nga prokuroria, ka pasur dhe ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit.

Image
Hasan Preteni

Ish eprori i lartë i UÇK-së, Hasan Preteni, më pastaj edhe në TMK, tha për “Kosova Sot Online”, tha se me këto abuzime të mëdha që janë bërë e po bëhen akoma në vazhdimësi me statusin e veteranit të luftës, ka filluar ta humbë edhe atë krenari të madhe që e ka pasur, për fatin që kishte për të ju pri ushtarëve të lirisë për çlirimin e Kosovës.

“Sa isha krenar me kontributin e dhënë për çlirimin e vendit se kush ma dëmtoi këtë krenari. Po kush ju dha të drejtën këtyre komandantëve hipokrit të na e prishin imazhin e luftës. Kjo çështja e listave është krimi më i madh penal dhe moral. I gjithë aktiviteti duhet të shpallet zero, të fillohet nga e para, jo komisione nëpër zona. Një komision i vetëm për të gjithë pretenduesit, kritere të njëjta me vlerësuesit e njëjtë. E shprehi gatishmërinë personale të jem pjesë e komisionit sepse vlerat morale duhet të jenë në nivel”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”. 

Preteni ka treguar për ushtarët dhe luftëtarët e tij duke sqaruar se si gjatë gjithë luftës, si komandant batalioni, lista e ushtarëve të dorëzuar në fund të vitit 1999 është e njëjtë me listën e dorëzuar 15 vjet më vonë.

Sipas Pretenit, kjo lojë që po vazhdon të luhet edhe tani me këto lista, është kulmi i mjerimit dhe mashtrimit për interesa të ulëta.

“Mjerimi nuk ka fund, tani, po më duket se si po i shohë disa komandant të mjerë që do të mbledhin vota duke u krekosur se do të kërkojnë komision ndërkombëtar për të na i vërtetuar listat. Kam kërkesë për të gjithë luftëtarët e vërtetë. I lus luftëtarët të mos bëhen pjesë e fushatave zgjedhore. Ju them mos u rreshtoni publikisht pas asnjë subjekti politik. Nuk kemi luftuar për pushtet por për shtet. Vendosni në zyrat e juaja flamujt e Kosovës dhe rrezatoni patriotizëm funksional”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”, duke reaguar kundër abuzimit me statusin e veteranit të luftës për qëllime elektorale.

Më tej, Preteni thotë se këtë tendencë te re abuzimi duhet ta kundërshtojnë më fuqishëm organizatat e dala nga lufta me drejtuesit e tyre të drejtë dhe të pastër, në mënyrë që të ju shpallet “luftë” të gjithë atyre që për vota duan ta ulin akoma më shumë imazhin e luftëtarit të vërtetë.

“Kërkoj edhe nga organizatat e dala nga lufta që ti përgjigjen thirrjes për kushtrim, kësaj rradhe kushtrimit për shtetin e së drejtës. Lufte frontale kundër abuzuesve të listës së veteranëve. Nëse keni derdhur djersë e gjak për lirimin e vendit e tani në liri nga shteti kërkoni vetëm kompensime, atëherë tregoni se sa ka kushtuar ky kontributi i juaj, të ju paguajmë dhe të shkoni në dreq të mallkuar, të shkoni në vend ku kontributi për lirimin e vendit paguhet në lek”, tha Preteni, duke aluduar në realitetin e sotëm kosovar dhe abuzimin marramendës që është bërë, e po bëhet me statusin e veteranit të luftës, tani edhe për fushatë elektorale.

(Kosova Sot Online)