Paralajmërimi: Ndërhyjnë amerikanët, ky është plani A dhe plani B për krijimin e qeverisë

  • 16 September 2019 - 07:19
 Paralajmërimi: Ndërhyjnë amerikanët, ky është plani A dhe plani B për krijimin e qeverisë

“Mendoj që ambasada amerikane në Prishtine e ka planin B. Në qoftë se i fitojnë zgjedhjet ata kandidat të cilët kanë prapavije kriminale dhe politika nuk i largon, plani B i Amerikës do të jetë i ngjashëm për ndërhyrje dhe imponim, si në rastin kur e kanë sjellë në postin e Presidentes Atifete Jahjagen”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Pasi i kanë bërë një analistë të plotë përbërjes së listave me kandidat për deputet, të propozuar dhe tani certifikuar edhe nga KQZ-ja, analistët politikë shohin se akoma në mesin e kandidatëve të disa parti politike ka njerëz nën akuza, të ndëshkuar apo që janë në procese gjyqësore, e që sipas tyre nuk do të duhej të ishin në ato lista.

Image
Dardan Grapci

Lidhur me këtë mënyrë veprimi, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka kritikuar ashpër ato parti që në listat e tyre kanë përfshirë njerëz me aktakuza.

E lidhur me këtë, analisti politik, Dardan Grapci ka thënë për “Kosova Sot Online” se ky veprim tregon më së miri se sa të pa përgjegjshme i kemi shumicën e partive politike, që nuk respektojnë as premtimet dhe as parimet, prandaj edhe zhgënjimi qytetar dhe humbja e besimit po vjen duke u shtuar.

“Duke e pasur parasysh që në këto zgjedhje partitë politike, edhe pse po deklarohen kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, ato në fakt vetë po i shkelin rregullat që në fillim duke i futur në lista për deputet personat që kanë prapavijë kriminale, që janë në kërkim, të ndjekur nga ligji, madje për disa të tillë është kërkuar edhe dënim me burg nga vetë disa miq tonë ndërkombëtar”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, thirrja e ambasadorit amerikan së fundi, që të tillët të mos votohen, është një thirrje në kohë të duhur, por tani varet sa e kanë dëgjuar atë qytetarët e Kosovës, votuesit e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Ambasadori Kosnett ka reaguar me të drejtë duke iu drejtuar qytetareve që mos t’i votojnë ato parti te cilat kanë në listat e tyre njerëzit që kane problem me ligjin dhe drejtësinë, por kjo si duket aspak nuk po ju hyn në vesh partive politike, por po bëjnë atë çka po ju duket atyre në interesin e ngushtë dhe e mirë, por në fakt që mundë të jetë një dështim total në rezultatin final, një episod i ri negativ, ndoshta edhe pretekst për përshkallëzimin e situatës së krizës në Kosovë nga qytetarët, qoftë duke ikur masivisht nga vendi për në shtet tjera qoftë edhe duke protestuar dhunshëm”, shtoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Grapci ka thënë se manipulimi i madh tani po ndodhë nga PDK-ja, ku njerëzit e saj të tej korruptuar nëpërmjet faqes së tyre zyrtare në rrjetin social Facebook po e shpërndajnë linkun ku po kërkohen 10 mijë persona për ta nënshkruar peticionin për luftimin e korrupsionit.

Aq më keq sipas Grapcit, kur këtë kërkesë e promovon dhe e kërkon vetë i dyshuari për korrupsion.

”Do të ishte mbase në rregull nëse kjo kërkohet vetëm në emër të partisë politika pa individin, por të kërkohet kjo nga një person siç është Kadri Veseli që vetë është i korruptuar dhe që ka bërë krime, është pak e tepër dhe skandaloze, prandaj ky “peticion” sipas mendimit tim edhe nëse bëhet ligj dhe aprovohet, përsëri ky ligj do të shkelet nga vetë pushtetarët që do të jenë në pozitë, e nëse pjesë e pozitës do të jenë PDK-ja”, shtoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë ai beson që këtë herë, faktori ndërkombëtar, më konkretisht amerikanët, nuk do të lejojnë që qeverinë e re të Kosovës ta drejtojnë njerëzit që kanë problem me ligjin, sepse nga një plan A që duhet të jetë plan i partive tona politike, do të zbatohet plani B, plan rezervë i ndërhyrjes ndërkombëtare.

“Mendoj që ambasada amerikane në Prishtine e ka planin B. Në qoftë se i fitojnë zgjedhjet ata kandidat të cilët kanë prapavije kriminale dhe politika nuk i largon, plani B i Amerikës do të jetë i ngjashëm për ndërhyrje dhe imponim, si në rastin kur e kanë sjellë në postin e Presidentes Atifete Jahjagen. Por kësaj radhe do e sjellin dikë që të bëjë presion edhe ndaj partive politike për ti larguar nga qeveria ata kandidat që kanë pasur dhe që kanë problem me ligjin dhe drejtësinë. Fare lehtë mundë të ndodhë që të kërkohet të largohet nga pozita e Presidentit edhe Hashim Thaçi, dhe ta sjellin dikë tjetër që do e pastron skenën politike dhe pse jo edhe Kuvendin e Kosovës nga deputetë manipulues dhe kriminel’, përfundoi Grapci për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)