Kryeministri britanik pritet t’i refuzojë ofertat e BE-së për shtyrje të Brexit-it

  • 16 September 2019 - 09:09
Kryeministri britanik pritet t’i refuzojë ofertat e BE-së për shtyrje të Brexit-it

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, pritet t’i thotë presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se vendi i tij nuk është i përgatitur që ta shtyjë procesin e Brexit-it pas datës 31 tetor. Dy udhëheqësit do të takohen të hënën në Luksemburg.

Ky është takimi i parë mes shefit të qeverisë britanike dhe zyrtarit të lartë të Bashkimit Evropian që nga ardhja në pushtet e Johnson-it në Britani në muajin korrik.

Sipas një burimi të qeverisë britanike, kryeministri në këtë takim do të theksojë se dëshiron të sigurojë një marrëveshje për këtë çështje deri më 18 tetor, pas një samiti të rëndësishëm të Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, nëse një gjë e tillë nuk arrihet, ai pritet t’i refuzojë të gjitha ofertat e tjera për shtyrje të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

“Secila shtyrje tjetër do të ishte gabim i madh. Nuk është në pyetje vetëm shtyrja, por edhe vazhdimi i përçarjeve dhe urrejtjes, të cilat kanë pasoja shumë të mëdha”, tha ky burim.

Në takimin e Luksemburgut do të marrë pjesë edhe shefi i BE-së për negociata të Brexit-it, Michel Barnier, ndërsa kryeministri britanik do të jetë i shoqëruar nga ministri për Brexit-in, Steve Barcaly, dhe përfaqësuesin qeveritar, David Frost, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online )