Vjen lajmi i keq për kosovarët: Harrojeni liberalizimin e vizave, ja pse

  • 16 September 2019 - 19:28
Vjen lajmi i keq për kosovarët: Harrojeni liberalizimin e vizave, ja pse

“Në një situatë të tillë të mos funksionimit të ligjit nuk është e pritshme të kemi edhe liberalizim vizave, madje për një kohë të gjatë. Ndaj ndër të tjera, në rrethana të këtilla edhe pse jo pak pushtetarë ditë e natë premtojnë, përkatësisht gënjejnë publikisht, se do të lejohet liberalizimi i vizave, liberalizimi aktualisht as në një të ardhme të afërme nuk mund të imagjinohet”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit, kanë vërejtur se gjatë debateve politike të para fushatës zgjedhore të 6 tetorit, partitë politike e kanë lënë krejtësisht jashtë planit, problemin e pa zgjidhur për lëvizjen e lirë, liberalizimin e vizave.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka konsideron se jo rastësisht po vazhdon të dështojë liberalizimi i vizave, kurse politikanët po i ikin të vërtetës së dështimit të drejtësisë në zgjidhjen e 53 lëndëve të shënjestruara për liberalizimin, lëndë të cilat po mrizojnë në sirtarët e gjykatave dhe të prokurorive ngase prej tyre, sipas njoftimit zyrtar nga koordinatori përkatës, 15 lëndë janë në fazë hetimi, kurse 38 lëndë janë me aktakuza të ndritura nga ana e prokurorive përkatëse. Nga këto 38 lëndë, 11 janë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, vetëm 11 lëndë janë të përfunduara në gjykata të shkallës së parë, ndërsa vetëm 16 lëndë kanë aktgjykim të formës së prerë.

Image
Riza Smaka

Profesor Smaka konsideron se të gjitha këto fakte të dituar, janë të ndikuara nga vetë politika e inkriminuar, që i bëjnë zyrtarët e partive politike të mos flasin fare gjatë fushatës për temën e liberalizimit, kinse ajo është punë e kryer tani.

"Shkaku është i funksionimit të dobët e shpesh herë selektiv të sistemit të drejtësisë nga kaptina e shtatë e Kushtetutës, kjo qëndron e buron nga politikat qeveritare e kuvendare jo rrallë herë perverse e korruptive dhe të pa përgjegjshme. Megjithatë as influencimet e fuqishme të politikave ditore në punën e prokurorëve e të gjykatësve të caktuar nuk mungon, këta të fundit nuk i absolvon së pakut jo tërësisht”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ai ka rikujtuar se ata e ato, gjyqtarët e prokurorët, sipas dispozitave të përfshira në kaptinën e gjashtë të Kushtetutës janë të pavarur për të trajtuar raste juridike nga kundërvajtësit, deri te penalet e intensitetit të lartë, janë të pa varur dhe nuk ju përgjigjen pushteteve ekzekutive as legjislative për punën e tyre të drejt e të ligjshme por megjithatë ndikimi është i dukshëm, i pranishëm, qoftë me ndikim të fuqisë politike qoftë me paratë e pista. 

“Në anën tjetër pushtetar e përfaqësues të subjekteve politike të caktuar, në saje të posteve influente e kumbuese, dhe të parasë së pistë që e disponojnë të uzurpuar gjatë luftës, pas luftës nëpërmjet tenderëve korruptive e procesit defektoz të privatizimit të aseteve publike, si dhe të formave tjera, mund të influencojnë në parashkrime të rasteve juridike, në zvarritje irracionale si dhe në zgjidhje të përshtatshme për ta, të atyre rasteve”, tha njohësi i fushës së drejtësisë, Risa Smaka për “Kosova Sot Online”.

Për këtë pasojë, ai thotë se situata shoqërore e politike në vendin tonë nuk është aspak e kënaqshme madje as afërsisht, ngase nga interferimet e pushtetarëve të caktuar ka degraduar jo vetëm drejtësia por edhe arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe është neglizhuar sigurimi invalidor, pensional e shëndetësor.

“Punësimet në sektorin publik kryesisht bëhen sipas diktateve të politikanëve e pushtetarëve influencues, duke shkaktuar nepotizëm, familjarizim, mbi punësim në disfavor të parasë publike, insuficiencë profesionale e neglizhim dhe nëpërkëmbje të meritokracisë së nevojshme për ushtrim të punëve e funksioneve publike. Për shkaktar të humbjeve kryesisht të qëllimshme së pakut deri sot nuk është përgjigjur askush”, theksoi Riza Smaka.

Poashtu , Smaka thotë se mundë të numërohen duzina keq veprimesh të pushtetarëve të caktuar e të cilat shihen e dihen publikisht, nga të cilat pasojnë zhgënjime e dëshpërime të thella e serioze të shumë e shumë qytetarëve.

“Në një situatë të tillë të mos funksionimit të ligjit nuk është e pritshme të kemi edhe liberalizim vizave, madje për një kohë të gjatë. Ndaj ndër të tjera, në rrethana të këtilla edhe pse jo pak pushtetarë ditë e natë premtojnë, përkatësisht gënjejnë publikisht, se do të lejohet liberalizimi i vizave, liberalizimi aktualisht as në një të ardhme të afërme nuk mund të imagjinohet. Gjithsesi sikundër të ekzistonte vetëdija politike kombëtare e formësuar në kritere të qëndrueshme e parimore, situata e tillë do të mundë të tejkalohej afirmativisht, ndër të tjera në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që do të mbahen, të mos votohen ish deputetët e legjislaturës së fundit pasi që ishin tejet jo efikas e pasiv dhe që votuan për humbjen e mbi 8000 hektarëve të Kosovës, që konsiston në copëtimin e Kosovës, as kandidatët për deputet që "kanë probleme me ligjin e moralin publik", përfundoi profesor, Riza a Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)