Raporti: Shpyllëzimi i Amazonës po udhëhiqet nga rrjetet kriminale

  • 17 September 2019 - 09:28
Raporti: Shpyllëzimi i Amazonës po udhëhiqet nga rrjetet kriminale

Shpyllëzimi në pjesën braziliane të Amazonës është një biznes fitimprurës që po udhëhiqet kryesisht nga rrjetet kriminale, të cilat i kërcënojnë dhe i sulmojnë zyrtarët qeveritarë, mbrojtësit e pyjeve dhe njerëzit indogjenë, të cilët mundohen t’i pengojnë ato rrjete. Kështu thuhet në një raport të organizatës “Human Rights Watch”.

Në raportin e titulluar “Mafitë e pyjeve” thuhet se dështimi i Brazilit për t’i kontrolluar me polici këto banda i kërcënon mundësitë e shtetit për t’i përmbushur zotimet e dhëna në marrëveshjen e Parisit për klimën, përfshirë zhdukjen e shpyllëzimit ilegal deri në vitin 2030.

Ricardo Salles, ministër i mjedisit në Brazil, ka thënë se varfëria është duke e shkaktuar shpyllëzimin e Amazonës dhe se zhvillimi ekonomik në këtë zonë do ta parandalonte shpyllëzimin e dëmshëm. Sidoqoftë, autori i raportit, Cesar Munoz Acebes, mendon se Amazona duhet të mbikëqyret më mirë nga policia.

“Përderisa e keni këtë nivel të dhunës, mungesës së zbatimit të ligjit dhe mungesës së ndëshkimeve për krimet e kryera nga këto grupe kriminale, do të jetë e pamundur për Brazilin që ta kontrollojë shpyllëzimin. Këto rrjete kriminale do ta sulmojnë secilin person që iu del në rrugë”, tha Acebes.

Raporti ofron dëshmi për 28 vrasje, të cilat ishin të ndërlidhura me personat e përfshirë në shpyllëzim, të cilët viktimat e tyre i shihnin si pengesa për realizimin e qëllimeve, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)