PERGJIMET/ “Desh më këputën, ta lë gjëkundi unë këtë tani? U ika atyre ku*vave e, atyre të ‘Bashkisë'”. Kur planet e trafikut i prishi protesta e opozitës

  • 17 September 2019 - 10:09
PERGJIMET/ “Desh më këputën, ta lë gjëkundi unë këtë tani? U ika atyre ku*vave e, atyre të ‘Bashkisë'”. Kur planet e trafikut i prishi protesta e opozitës

Hetimet 3-vjeçare të Prokurorisë për Krime të Rënda shkatërruan katër grupe kriminale, që trafikonin lëndë narkotike në Greqi e Turqi në sasi të vogla. Nga dosja e Prokurorisë që ka siguruar gazeta “Panorama”, rezulton se grupet kishin lidhje edhe me shtetas të huaj, si në Maqedoninë e Veriut, Turqi dhe Greqi. Ndërkohë, arrestimi nuk e ka ndaluar Aldo Nesimin, i konsideruar si një prej drejtuesve të grupit, të përgatiste nga burgu në Greqi një tjetër rast të trafikut. Rast që fillimisht dështoi nga postblloqet, të cilat Policia i kishte ngritur në atë kohë nga protestat që po zhvillonte opozita në Tiranë. E ndërsa rasti i trafikut dështoi, Policia gjithashtu ka dështuar të arrestojë personin që kishte në makinën e tij drogën. Eljon Jaho ka mundur t’i largohet Policisë, të fshihet në mal dhe disa orë më pas të largohet nga Korça me ndihmën e dy personave të tjerë, pjesë të grupit. Në këtë rast trafiku është identifikuar edhe roli i disa personave të vënë në pranga dhe të lënë në burg nga Gjykata dy ditë më parë.

DOSJA Edhe pas arrestimit të Aldo Nesimit në Greqi, ai, nga burgu komunikonte me vëllain e tij dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi mbi aktivitetin kriminal në Greqi, në drejtim të shpërndarjes së lëndëve narkotike, por edhe të përgatitjes për organizimin e trafikimit të lëndëve narkotike nga anëtarët e tjerë të këtij grupi. Nga komunikimet telefonike të anëtarëve të këtij grupi kriminal, rezulton se në janar 2019, ky grup ka organizuar trafikimin e rreth 40 kg lëndë narkotike cannabis sativa nga Shqipëria, fillimisht drejt Maqedonisë, nëpërmjet liqenit të Pogradecit, dhe më pas drejt Greqisë. Nga komunikimet telefonike janë identifikuar si të përfshirë në këtë rast Sokol Nesimi, Aldo Nesimi, Bilbil Shqalshi, Eljon Jaho, Marjol Toshi nga Pogradeci, një shtetas me emrin “Vllatko” nga Maqedonia e Veriut, dhe persona të tjerë të paidentifikuar. Sokoli dhe Bilbili kishin rolin e gjetjes së lëndës narkotike në zonën e Tepelenës, më pas Eljoni e ka transportuar nga Erseka drejt Pogradecit, edhe Marjol Toshi, duke përdorur persona të tjerë, ka trafikuar me varka nëpërmjet liqenit të Ohrit drejt Maqedonisë, ku e priste personi me emrin “Vllatko” për ta transportuar drejt Greqisë, por për shkaqe objektive nuk është bërë e mundur të sekuestrohej kjo sasi lënde narkotike. Shtetasit nën hetim kanë vazhduar aktivitetin e tyre kriminal dhe më datë 13.05.2019, kanë arritur të organizojnë trafikimin e një sasi lënde narkotike nga Tepelena fillimisht në Ersekë dhe më pas në drejtim të Pogradecit, me destinacion në vijim Maqedoninë e Veriut nëpërmjet Liqenit të Ohrit dhe destinacion përfundimtar Turqinë, për llogari të shtetasit nën hetim shqiptaro-turk, Rexhep Ipek.

SIGURIMI I LËNDËS NARKOTIKE Nga ndjekja e hetimeve, bisedave dhe vëzhgimeve të kryera, ka rezultuar se Sokol Nesimi, në bashkëpunim me Rexhep Ipek, kanë gjetur lëndën narkotike në Tepelenë, më pas kanë angazhuar shtetasin Eljon Jaho për të shkuar dhe për ta marrë lëndën narkotike në Tepelenë dhe për ta transportuar fillimisht drejt banesës së tij në Ersekë e më pas drejt banesës së tij në fshatin Hudënisht, Pogradec. Aty do ta priste një person tjetër, i cili do të kryente dhe trafikimin nëpërmjet liqenit të Ohrit drejt Maqedonisë së Veriut dhe më pas personi tjetër, i njohur si Vllatko, do ta trafikonte drejt Greqisë. Për organizimin e këtij rasti trafikimi, Sokol Nesimi ka zhvilluar biseda të shumta disa ditë më parë me Eljon Jahon dhe takime të shumta në Korçë me qëllim për të gjetur persona të tjerë për të kryer transportin drejt Greqisë. Eljoni, në funksion të këtij aktiviteti, është vënë në kontakt me shtetasin e identifikuar si Gjergji Muke. Ky i fundit e ka prezantuar me një tjetër person, i identifikuar si Dorian Kaso, i cili merrte përsipër transportin deri në Selanik, mirëpo Eljoni i ka kërkuar të kryenin transportin deri në Aleksandropulos, në kufi me Turqinë. Në funksion të këtyre bisedave dhe këtij organizimi ata janë takuar disa herë më njëritjetrin, por Dorian Kaso dhe Gjergj Muke i kanë thënë Eljon Jahos se e kishin të pamundur të transportonin deri Aleksandropulos, pasi ishte distancë e largët dhe kërkonte automjet me vend të posaçëm. Eljoni, në funksion të këtij aktiviteti, ka biseduar edhe me tjetër person, identifikuar si shtetasi Romeo Dragot Tare, të cilit i thotë se duhet të bëhet gati, të qëndrojë në Korçë, dhe në momentin që do ta njoftonin personat e tjerë do të lëviznin për transportin e lëndës narkotike.

MARRJA E DROGËS Është konstatuar se në orën 03:00 të mëngjesit të datës 13.05.2019, Eljon Jaho ka qenë në Tepelenë, ku e ka telefonuar Sokolin, dhe i ka thënë se ndodhej te vendi, ndërsa Sokoli i ka thënë të priste te lokali. Pasi ka marrë lëndën narkotike, është nisur për në Ersekë dhe në orë 06:30 ka arritur te shtëpia e tij, ku e ka telefonuar përsëri Sokolin dhe e ka pyetur nëse duhej ta çonte direkt te vendi, por ai i ka thënë se do t’i thoshte ai kur të nisej dhe të qëndronte të pushonte. Sokoli ka udhëtuar së bashku me Rexhep Ipek drejt Pogradecit, ku ka takuar Festim Çorbaxhi dhe më pas, nga telefoni i Festimit, ka telefonuar Eljonin dhe i ka thënë se ky ishte numri i personit që do takonte dhe do t’i çonte mallin, por të kishte kujdes pasi kishte postblloqe Policie për shkak të protestës që zhvillohej në Tiranë. Sokoli, pas takimit me Festim Çorbaxhi, së bashku me Rexhep Ipek, janë nisur drejt Tiranës, ndërsa Eljoni, rreth orës 14:00, ka telefonuar shtetasin e identifikuar si Fatjon Feka dhe i ka kërkuar automjetin e tij, i cili rezulton të jetë “Benz”. Ky mjet është konstatuar në lëvizje në unazën e qytetit të Korçës dhe në drejtim të tij është identifikuar Eljon Jaho. Automjeti është konstatuar se ka lëvizur drejt qytetit të Pogradecit.

NDJEKJA Eljoni, pasi ka kaluar postbllokun e parë të Policisë në Çiflig, Korçë, ka telefonuar Sokolin dhe i ka thënë se ishte nisur, e kaloi të parin, por Sokoli i ka thënë se pse është nisur pa i thënë “ai tjetri”, pra, Festim Çorbaxhi. Më pas, Eljoni e ka telefonuar shtetasin Festim Çorbaxhi dhe i ka thënë se ishte nisur, ndërkohë që Festimi i thotë: “si je nisur pa të thënë unë? Unë fola me Sokolin dhe e lamë që kur t’i thosha unë”. Eljoni i thotë tani jam nisur unë dhe e kam kaluar të parin. Festimi i thotë se ka shumë njerëz, duke nënkuptuar postbllokun dhe i ka thënë të qëndrojë 5-6 kilometra larg Pogradecit. Eljoni i ka thënë të dalë të shikojë një herë pasi ai ishte nisur dhe po shkonte tek ai. Festimi ka dalë dhe pasi ka kontrolluar, i ka thënë se kishte policë, por Eljoni i ka thënë se do t’i kalojë ata dhe ta priste. Ka vazhduar rrugën dhe për shkak të kohës së keqe me reshje shiu dhe pamundësisë për ta mbajtur në vëzhgim në brendësi të fshatit Hudënisht ku do të linte lëndën narkotike, Eljoni i është dhënë njoftim postbllokut të ngritur në dalje të qytetit Pogradec për të ndaluar dhe ushtruar kontroll automjetit. Në vijim ka rezultuar se pasi i është dhënë sinjal drejtuesit të automjetit për të ndaluar, drejtuesi i mjetit, pasi i ka dhënë dokumentacionin e mjetit dhe lejen e drejtimit, është larguar bashkë me automjetin me shpejtësi, në momentin që punonjësit e Policisë i kanë thënë të zbriste nga automjeti. Eljoni, mbasi u largua nga postblloku i Policisë, në vijim ka komunikuar me Festim Çorbaxhi dhe i jepte vendin se ku ndodhej dhe se ku duhet të linte mallin. Në ndjekje automjeti është gjetur i braktisur mbi fshatin Hudënisht, Pogradec, dhe në bagazhin e tij janë konstatuar 7 (shtatë) thasë plastmasë, mbushur me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

DYSHIMI Eljoni ka komunikuar me Sokolin në momentin që ka parë Policinë dhe i ka thënë se e ka hedhur numrin tjetër dhe t’i thoshte edhe Festimit të hiqte numrin, pasi e kishte gjetur Policia, ndërkohë që vazhdonte të largohej në zonën malore mbi fshatin Hudënisht. Nga Policia është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Eljon Jaho dhe në ndjekje të situatës Eljoni ka vazhduar komunikimet telefonike me Sokolin, i cili herë pas here fliste dhe nga numri telefonik celular +355 68 24 XXX, të cilin e kishte në përdorim një person tjetër ende i paidentifikuar. Edhe personi, edhe Sokoli, komunikojnë vazhdimisht me Eljonin dhe i kërkojnë shpjegime sesi kishte ndodhur, pasi kanë dyshime se mos Eljoni i ka mashtruar dhe iu ka marrë lëndën narkotike, por Eljoni i thotë se ishte i lagur në mal dhe kërkonte të shkonin ta merrnin. Personi tjetër e orienton që të mbajë telefonin të mbyllur për të ruajtur baterinë dhe për 2 orë do të shkonin ta merrnin. Pas disa orësh, personi me numër +355 68 24 69 779 e ka telefonuar vazhdimisht Eljonin, por telefoni i tij ka qenë i fikur. I ka dërguar sms, duke i thënë të dilte pasi ai ndodhej aty, por Eljoni nuk i është përgjigjur.

ARRATISJA Më datë 14.05.2019, Eljoni ka filluar komunikimet telefonike me dy shtetas të tjerë, të cilët kanë përdorur numrat telefonikë celularë 069 89 71 026, i cili është identifikuar se është në përdorim nga Romeo Tare, lidhje e Eljonit, të cilit i ka thënë të shkonte ta merrte në Piskupat, Pogradec, dhe të shkonte me dy makina, si dhe Gjergji Muke.

Të dy këta shtetas kanë shkuar e kanë marrë shtetasin Eljon Jaho dhe kanë udhëtuar drejt Elbasanit, Gramshit, dhe më pas Maliqit dhe fshatit Drenovë, ku Eljoni ka vazhduar të komunikojë dhe logohet me antenë në atë fshat, por pa përcaktuar vendin se ku mund të strehohej. Në grafikun e marrë nga kompania telefonike, pasqyrohen qelizat e antenave të përbashkëta të këtyre shtetasve dhe ndodhen në të njëjtin vend.

Ka rezultuar se më datë 16.05.2019, Eljon Jaho, person në kërkim, me numrin +355 69 97 12 105, ka komunikuar me shtetasin Bilbil Shqalshi, dhe i ka thënë “e hodha numrin tjetër, tani do mbash këtë numër” dhe i ka kërkuar të interesohej për të marrë vesh lidhur me çështjen e tij. Bilbili i thotë se po pyet dhe do shikojë mundësinë për të hequr patentën e Eljonit nga makina dhe të mos implikohet Eljoni. Në një komunikim tjetër mes Bilbil Shqalshit dhe Eljon Jaho, Bilbili i thotë se duhet të hedhë edhe këtë numër telefoni, pasi një miku i tij i kishte thënë se ishte në përgjim bashke me “atë” tjetrin.

Nga bisedat e transkriptuara identifikohen rolet e gjithsecilit prej personave anëtarë të këtij grupi kriminal, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Biseda nr.28, datë 04.05.2019, ora 6:32:03.md, zhvilluar ndërmjet Eljon Jahos, me numrin në përdorim nga ana e tij +355 69 30 40 511, dhe shtetasit Gjergji Muke, i cili ka përdorur numrin celular +355 69 36 76 566, ku flasin me nënkuptime për aktivitetin kriminal, e konkretisht:

511: E mo, lali!

566: E mo, ç’po bën ë? 511: Hiç, ja, këtu, kafe po pi.

566: Heee! Ore! 511: Hë lali!

566: Pooo ky thotë që të lyhet kur të verë gjëja në vend mo!

511: Të lyhet kur të vejë gjëja në vend?!

566: Eeejjj! Për atë punë tha, për atë punë tha, vetëm të ecë tha. Po s’eci tha i bie përvëlohemi të dy thotë. Ay,ay, këmbët, kurse unë.

566: Për, për anën e “bojës” të garantoj unë thotë.

511:Po. 566: Më kupton o?

511: Ok. Do ta mbaj edhe atë përgjegjësi të keqen unë derisa të arrijë në vend.

566: Mirë o, aj se folim prapë.

Biseda e datës 13.05.2019, e zhvilluar ndërmjet shtetasit Eljon Jaho dhe shtetasit Festim Çorbaxhi, i cili ka përdorur numrin celular +355 69 23 95 XXX, ku Eljonin e telefonon Sokoli nga telefoni i Festimit, dhe i thotë të lidhet me këtë numër.

Biseda e datës 13.05.2019, e zhvilluar ndërmjet Sokol Nesimit dhe Eljon Jaho, ku Eljoni i thotë se i kishte ikur policëve edhe në Pogradec dhe se ishte futur në një mal. Sokoli i thotë të lërë mallin diku dhe të flasin nga telefoni tjetër.

511: Mu desh më këputën.

668: Hë?

511: Desh më këputën them.

668: Po unë të thashë!

511: Më the të keqen unë. Tani, tani, ta lë gjëkundi unë këtë tani?

668: Ku je ti?

511: Unë e kalova atë. u ika atyre kurvave e, atyre të “Bashkisë”.

668: Po në ca vendi je ti?

511: Unë dola nga ata, u futa këtej, një mal këtej, ia harrova emrin si e ka ky fshati.

668: Po shif, fol, leje me ndonjë vend o burrë.

511: Po. Ti le me një vend këtu e të marr në telefon atë?

668: Po, po, po. I del telefoni atij djalit? 511: Direkt makinën time ndaluan. Tëra makinat para, makinën time ashtu. Se s’jam me maqinën time them, jam me maqinë tjetër, më kupton vëllain?

668: Po bre, flasim në telefonin tjetër.

511: E mirë. Fol me atë edhe.

(Kosova Sot Online)