Kapen 11 kg heroinë, pranga 50-vjeçarit rezident në Zvicër

  • 17 September 2019 - 10:25
Kapen 11 kg heroinë, pranga 50-vjeçarit rezident në Zvicër

Policia Kufitare e Portit të Durrësit parandaloi një tentativë për trafikim të drogave të forta, duke sekuestruar sot 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar heroinë dhe arrestoi në flagrancë një shtetas shqiptar, me banim në Zvicër.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.

Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
 

Image



(Kosova Sot Online)