“Bastionet në shuarje”, vjen paralajmërimi për partitë kosovare

  • 17 September 2019 - 13:39
“Bastionet në shuarje”, vjen paralajmërimi për partitë kosovare

Zgjedhjet e kaluara i kanë bërë me ethe partitë politike për rrezikun e humbjes së bastioneve të tyre, me të cilat janë mburrur ato. Ky ndryshim drastik i votave, subjektet politike i ka bërë të "dridhen", pasi që ndryshimi është vrejtur shumë, e tashmë edhe në zgjedhjet e 6 tetorit mund të ketë befasi në ato komuna, të cilat partitë e ndryshme i konsiderojnë si bastione të tyre.

Se a do të ketë ndryshime në bastionet e partive politike, siç janë Skenderaj i PDK-së, Podujeva e LDK-së, Deçani i AAK-së dhe Malisheva e Nisma-së, për "Kosova Sot Online", foli analisti, Dardan Grapci, i cili tha se brenda partive politike ka filluar disa vite me përpara përçarja e tyre, ngase, siç thotë ai, ato parti kanë mbajtur të fshehur këto lajme nga mediet dhe nga publiku.

Image
Dardan Grapci

"Në këto zgjedhje do të ketë ndryshime të vogla, jo me përmasa ku populli ta kuptoj, por do të ndodhë që edhe nëse elektorati e voton një parti tjetër, përsëri ajo parti e cila po e ka pushtetin e një komune do të vazhdojë të punojë për interesat e tyre vetanake, e jo shoqërore", ka thënë Grapci për "Kosova Sot Online”.

Tutje, ai ka thënë se nuk është hera e parë që partitë në vend po e sulmojnë njëra-tjetrën me akuza, qofshin të vërteta apo të rrejshme, pasi në fund është elektorati që vendos kush do ta udhëheq këtë vend e jo partia.

"Prandaj ckado që do të ndodhë në këto zgjedhje apo më mirë të them nëse nuk fitojnë njerëzit me ndjenja që ia din problemet qytetarëve, atëherë mendoj që do të vazhdoj e njëjta politikë siç ka qenë deri para shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës. Qytetarët janë ata që mund të sjellin ndryshim, dhe kjo është duke i votuar personat të cilët s'kanë pasur asnjëherë problem me ligjin dhe drejtësinë", përfundoi Grapci për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)