Ymeri ka një porosi për serbët e Kosovës

  • 17 September 2019 - 13:56
Ymeri ka një porosi për serbët e Kosovës

Kandidati për deputet në koalicionin AAK-PSD, Visar Ymeri ka reaguar lidhur me presioniet që po iu bëhen serbëve të Kosovës që të votojnë Listën Serbe.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ymeri ka shkruar se presionet, kërcënimet dhe shantazhet e Beogradit zyrtar ndaj serbëve me të drejtë vote në Kosovë për t’i obliguar ata ta votojnë Listën “Srpska”, dëshmojnë edhe më shumë domosdonë që Qeveria e ardhshme e Kosovës pas 6 tetorit, të mos jetë e varur nga ky formacion politik.

“Kjo ndërsymje e ndërhyrje e Beogradit zyrtar e dëshmon edhe më shumë se kishim të drejtë, ne deputetët e Partisë Socialdemokrate në legjislaturën e fundit, kur, bashkë me Kryeministrin Haradinaj, e larguam këtë ndikim në vendimmarjen shtetërore të Kosovës, për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës prej kur Lista “Srpska” është e pranishme në Kuvendin e Republikës”, ka shkruar ai.

Tutje, Ymeri ka thënë se në Kosovë duhet të krijohen kushte që serbët e Kosovës të jenë të lirë që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë.

“Kosova, institucionet e saj dhe shoqëria, duhet të krijojnë kushte, frymë dhe mekanizma, që serbët në Kosovë të jenë të lirë për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë, të mbrojtur nga pushteti autoritar dhe mendësia totalitare e Beogradit zyrtar. Tolerimi i veprimeve të Beogradit në emër të nevojës së kontrollit politik të serbëve të Kosovë nga Serbia për shkak të stabilitetit të brendshëm dhe të proceseve të ardhshme politike, po e pengon e pamundëson zhvillimin e një përfaqësimi autentik politik të serbëve që jetojnë në Kosovë bashkë me të tjerët. Stabilokracia nuk është mundësi për demokraci”, ka thënë Ymeri.

(Kosova Sot Online)