Lajmi i keq për kosovarët: Ja arsyet që po mbajnë ‘peng’ liberalizimin e vizave

  • 17 September 2019 - 17:32
Lajmi i keq për kosovarët: Ja arsyet që po mbajnë ‘peng’ liberalizimin e vizave

“Ikja e politikanëve nga e vërteta e dështimit të drejtësisë në zgjidhjen e 53 lëndëve e shënjestruara për liberalizimin e vizave që po mrizojnë në sirtarët e gjykatave dhe të prokurorive, bëhet për të vetmin qëllim ngase disa prej tyre mund të jenë të implikuar në rastet e shënjëstruara”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së integrimeve evropiane dhe të sundimit të ligjit, duke pasur si urë kaluese fillimin e lëvizjes së lirë përmes liberalizimit të vizave për zonën Shengen, konsiderojnë se Republika e Kosovës akoma po mbet shumë mbrapa në këtë proces.

Madje analisti politik dhe njohësi i kësaj fushe, Florim Zeqa, thotë se politika kosovare e pa informuar mirë, ka ekzaltuar se tepërmi dhe është nxituar duke shpresuar për heqjen e shpejtë të vizave, pas rekomandimit pozitiv që është dhe nga KE-ja për këtë temë.

Image
Florim Zeqa

Zeqa thotë se rekomandimi pozitiv ka qenë një inkurajim plus për politikën kosovare që t’i shpall luftë serioze krimit e korrupsionit, për ndërtimin e shtetit të së drejtës, por se qeveritarët kosovar vepruan në të kundërtën.

“Dhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Komisioni Evropian, politikanët kosovarë e morën si punë të kryer dhe vazhduan me avazin e vjetër të korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit galopant në institucione. Mirëpo zyrtarët e shteteve kyçe të BE-së kanë vëzhguar dhe në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës më shumë rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni të profilit të lartë, para një vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, loja që po luhet nga politika dhe gjyqësori i kapur politikisht me lëndët e rasteve të shënjestruara, ku bëhet fjalë për të dyshuar dhe akuzuar të nivelit të lartë politik, është nyje e lidhur pa zgjidhjen e së cilës nuk mundë të pritet zhbllokimi i procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët, sado që politika jep premtime mashtruese se e ka kryer detyrën e së rastet janë kinse në rrugën e duhur të trajtimit.

“Si rezultat i kësaj s’përputhje, vetëm 16 nga 53 lëndët e shënjestruara për liberalizimin e vizave, deri tash kanë marrë verdikt përfundimtar nga drejtësia kosovare. Dështimi i sistemit të drejtësisë në trajtimin e lëndëve të shënjestruara dhe mungesa e rezultateve në luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar ka ndikuar edhe në liberalizimin e vizave”, thotë me bindje të plotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Kjo duket të jetë, sipas tij, arsyeja kryesore që deri më tash në fushatën parazgjedhore nuk flet fare politika për liberalizimin e vizave, ngase është shumë e qartë që nuk mundë të shfajësohet askush për këtë dështim të madh.

“Liderët partiakë, gjegjësisht kandidatët për kryeministra duke e ndjerë vetën fajtorë për mos përmbushjen e kriterit bazik për liberalizim, i ka bërë që të mos flasin fare gjatë fushatës për temën e liberalizimit, kinse ajo është punë e kryer. Ikja e politikanëve nga e vërteta e dështimit të drejtësisë në zgjidhjen e 53 lëndëve e shënjestruara për liberalizimin e vizave që po mrizojnë në sirtarët e gjykatave dhe të prokurorive, bëhet për të vetmin qëllim ngase disa prej tyre mund të jenë të implikuar në rastet e shënjëstruara”,theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas analistit Zeqa, kjo është arsyeja pse edhe po ndodhë prolongimi i shqyrtimit të tyre nëpër gjykata e kapura dhe të korruptuara.

“Nëse i referohemi njoftimit zyrtar nga koordinatori përkatës, 15 lëndë janë në fazë hetimi, kurse 38 lëndë janë me aktakuza të ndritura nga ana e prokurorive përkatëse, del se nga këto 38 lëndë, 11 janë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, 11 lëndë janë të përfunduara në gjykata të shkallës së parë, ndërsa vetëm 16 lëndë kanë aktgjykim të formës së prerë. Pikërisht këto fakte po i bëjnë zyrtarët e partive politike të mos flasin fare gjatë fushatës për temën e liberalizimit të vizave. E përderisa liberalizimi nuk do të jetë premtim elektoral për zgjedhjet e 6 tetorit, kosovarët e izoluar do të votojnë përsëri për të njëjtit mashtrues e intrigant, duke jetuar me iluzionet për heqjen e vizave”, ka nënvizoi Zeqa për “Kosova Sot Online”. Madje ai paralajmëron se po u votuan të njëjtit edhe në këto zgjedhje, liberalizimi i vizave do të futet akoma më shumë në rrugë pa krye, në rrugë qorre. “Nëse qytetarët i votojnë politikanët e inkriminuar do të presin akoma më gjatë heqjen e vizave për lëvizjen e lirë drejtë vendeve të BE-së”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)