Katër burra dhe një grua, çfarë niveli shkollimi kanë kandidatët për kryeministër

  • 17 September 2019 - 19:53
Katër burra dhe një grua, çfarë niveli shkollimi kanë kandidatët për kryeministër

Në mesin e shtatë kandidatëve që synojnë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Vjosa Osmani nga LDK-ja është kandidatja që ka përfunduar më së shumti nivele të shkollimit.

Osmani e cila synon të bëhet shefe e Qeverisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet master dhe doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Pitsburgut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidat për doktoraturë është kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili kanditon për shef të ekzekutivit.

Ai ka përfunduar studimet e edukimit në Fakultetin e Agrikulturës dhe Shkollën Pedagogjike në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. 

Fatmir Limaj i nominuar për të garuar për postin e kryeministrit nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ka përfunduar Fakultetin Juridik në bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës.

Drejtësinë e ka studiuar edhe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate. Ai ndoqi degën e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Haradinaj ka përfunduar master në shkencat e shërbimit menaxhues, Rochester Institute of Technology në ShBA.

Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2003 ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

(Kosova Sot Online)