Brukseli përcaktohet për emisarin special në bisedimet Kosovë-Serbi?

  • 18 September 2019 - 11:00
Brukseli përcaktohet për emisarin special në bisedimet Kosovë-Serbi?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dëshirojnë që Serbia dhe Kosova të kthehen sa më parë në tryezën e bisedimeve për normalizim të raporteve.

Sekretari Amerikan, Mike Pompeo, e ka caktuar Mattehw Palmer si Përfaqësues Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, i cili dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do ta ketë pikë kryesore të agjendës së tij.

Ndërkohë deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, gjatë një vizite që kishte pasur në Kosovë ditë më parë, kishte thënë se do të ishte mirë që edhe Bashkimi Evropian të kishte një Përfaqësues Special njëjtë sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç Beyer, për një gjë të tillë ka folur edhe analisti serb, Dusan Janjiq, i cili ka paralajmëruar edhe futjen e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, ndërkohë ka thënë se Gjermania dhe Franca do të përcaktojnë një Përfaqësues Special për dialogun.

Megjithatë, Janjiq  thotë se përfaqësuesit e këtyre shteteve do ta kenë shef dikë nga Bashkimi Evropian.

“Të gjithë ata, sikurse Palmer, do të jenë të dërguar special për Ballkanin Perëndimor që do të përcjellin dialogun Prishtinë-Beograd, do të marrin pjesë nëpër takime, por shef i tyre do të jetë një person i përzgjedhur nga BE-ja në vend të Federica Mogherinit. Me shumë gjasë do të jetë Laszlo Trochani, Komisionari për Zgjerim, por një gjë e tillë nuk është vendosur ende”, ka thënë Janjiq, raporton Gazeta Express.

Por kush do të jetë zyrtari i Bashkimit Evropian që do të udhëheq përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës? Sipas ‘Blicit’ serb, disa shtete anëtare janë duke kërkuar nga Josepp Borell që në këtë post të Përfaqësueses Speciale të caktojë holandezen, Angelina Eichhorst, e cila ka punuar për me shumë se dy dekada dhe e njeh mirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë Radio Evropa e Lirë e thirrur në burime të veta, thotë se Përfaqësuesin Special të Be-së për dialogun do ta caktojë Gjermania.

(Kosova Sot Online)