Tregon profesori i njohur: Ja pse Kosova duhet ta pezullojë taksën ndaj Serbisë

  • 18 September 2019 - 14:11
Tregon profesori i njohur: Ja pse Kosova duhet ta pezullojë taksën ndaj Serbisë

“Kosova duhet të mësojë të bëjë politikë të jashtme. Vënia e taksës ka qenë hapi i parë, por suspendimi i taksës në kohën e momentin e duhur do të jetë hapi i dytë”, tha Spahiu për “Kosova Sot Online”.

Kanë mbetur edhe tre javë të plota deri në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit, kur do të mësojmë se cili do të jetë kombinimi politik- koalicioni për ndërtimin e qeverisë së re të Kosovës. Mirëpo faktori ndërkombëtar, zyrtar të lartë nga BE-ja dhe SHBA-të, vazhdojnë të dërgojnë mesazhe paraprake ndaj qeverisë në ardhje që për prioritet të parë të ketë zhbllokimin e procesit të bisedimeve me Serbinë, duke marr vendim për pezullimin e taksës së vendosur nga qeveria e PAN-it dhe kryeministri, tani në detyrë, Ramush Haradinaj.

Image
Nexhmedin Spahiu

Së fundi një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott.

Ai ka thënë për mediet serbe se mesazhi është i qartë, dialogu duhet të rifillojë duke pezulluar, hequr taksen.

“Mesazhi ynë është i qartë: SHBA-ja dëshiron që Kosova të heq tarifat në mënyrë që dialogu me Beogradin të fillohet përsëri. Tani është e rëndësishme që Prishtina të marrë një qeveri të re, të heq taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të vazhdojë dialogun”, ka thënë tutje ambasadori Kyle Scott.

Lidhur me këtë pozicionim të ndërkombëtarëve në pritje të qeverisë së re, profesori universitar dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nexhmedin Spahiu, e konsideron të domosdoshëm, madje të qëlluar një ndërmjetësim ndërkombëtar në këtë proces, në mënyrë që gjërat të marrin rrugë drejtë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të konsolidohet dhe merr formë edhe ndërtimi i mirëfilltë i politikës së jashtme, e cila thuajse nuk ka ekzistuar fare deri më tani.

“Kosova duhet të mësojë të bëjë politikë të jashtme. Vënia e taksës ka qenë hapi i parë, por suspendimi i taksës në kohën e momentin e duhur do të jetë hapi i dytë”, tha Spahiu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Spahiut, mirë menaxhimi i situatës me taksën duhet të përcillet edhe me veprime të tjera në funksion të ndërtimit dhe konsolidimit të duhur të politikës së jashtme të Kosovës, e cila tash për tash sikur nuk ekziston fare.

“Natyrisht, Kosovës i duhen e dhe shumë hapa të tjerë për të konstatuar se ekziston një politikë e jashtme e Kosovës. Tani për tani ajo thjeshtë nuk ekziston”, tha profesori universitar, analisti politik Nexhmedin Spahiu për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)