“Morëm kredi, por ai më divorcoi dhe u martua me tjetrën”, gruaja rrëfen live vuajtjet: E dija që më tradhtonte, por…

  • 18 September 2019 - 14:40
“Morëm kredi, por ai më divorcoi dhe u martua me tjetrën”, gruaja rrëfen live vuajtjet: E dija që më tradhtonte, por…

Një histori njerëzore dhe një apel për ndihmë që nënë e bir të vazhdojnë jetën normale. Kjo është historia e Linditës, një gruaje që rrit e vetme djalin e saj pa ndihmën e babait e cila ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24. Lindita është 45 vjeç, jeton në kryeqytet së bashku me të birin 13-vjeçar. Kanë kaluar së bashku një kalvar të gjatë vuajtjesh e dhimbjesh. E divorcuar kohë më parë ajo po përpiqet t’ia dalë e vetme, por duket se nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Për vite të tëra ka pasur probleme shëndetësore dhe e ka përjetuar shumë keq këtë periudhë.

Megjithatë pavarësisht ndarjes shqetësimi që ka prej 10 vitesh është se ish-bashkëshorti jo vetëm nuk interesohet, por nuk pranon të paguajë detyrimin ushqimor ndaj fëmijës. Lindita vetë është e papunë dhe në kushtet në të cilat ndodhet jetesa dhe kujdesi për të birin bëhet akoma më i vështirë.

“Fëmijëria dhe adoleshenca ime ka qenë e lumtur. Babi im është ndarë nga jeta kur unë kam qenë 7 vjeç. Nëna ime na ka rritur e vetme, ajo ka punuar gjithë kohës, ka sakrifikuar çdo gjë. Më ka munguar figura e babait, por vëllezërit janë munduar ta bëjnë rolin e tij. Jam diplomuar për fizikë, në universitetin e Shkencave të Natyrës, edhe pse ëndrra ime ishte të bëhesha mjeke. Jam shkëputur nga profesioni i mësueses për arsye shëndetësore. Fëmija im ka pasur një sërë problemesh, veç mungesës së babait ai ka rënë edhe nga kati i dytë dhe ka pasur probleme shëndetësore.

E kam njohur burrin, në moshën 32 vjeç me lajmësi. Më prezantoi motra ime, ishte kushëriri i burrit të saj. Pas një muaji u fejova dhe më pas u martuam.

Kërkoja një burrë që të ishte përgjegjës, u martova vonë sepse në moshën time nuk ishte kollaj të gjeje dikë që nuk kishte krijuar familje.

Krijova familje sepse duhet ta krijoja jo se isha e martuar. Ai ishte gjithmonë i pakënaqur, pasi familja e tij nuk më donte fare. Nëse ai do të vazhdonte me mua, do ta hiqnin nga ndihma financiare ekonomike. Ai ishte i varur ekonomikisht. 

Familja e tij më trajtonte si shërbëtore në momente të caktuara. Unë e kuptoja që ata nuk më donin. Në momentin që unë e kam njohur atë, kam pasur vëllain të sëmurë me tumor. Më ndodhi më pas fatkeqësia që më iku vëllai nga kjo jetë. Unë fillova ta reflektoja këtë stres edhe në marrëdhënie me të”, tregon Lindita.

Më pas ajo thotë se ai u martua me dikë tjetër dhe tradhtinë e kishte duruar për shkak të shtatzënisë.

“Ai më detyroi në kushte presioni të merrnim një kredi unë nuk doja por mendoja që ai ka fituar lotarinë amerikane. Ai bëri divorcin nga unë dhe u martua me dikë tjetër. E njohu kur vazhdonte shkollën e lartë. E dija që kishte tjetër, por s’e dija me kë. Pas presionit që ushtroi familja, ai nuk fshihej më. Nga tradhtia ndieja inat, zemërim, rënie vetëvlerësimi. Kur kërkoi divorcin, isha mësuar me faktin që ai donte të ndahej. E kam parë edhe vetë që më tradhtonte, në makinën e tij hipi një vajzë. Kur linda djalin, ai u emocionua, e mirëpriti. Unë edhe e pranoja kur sillej keq me mua, me fëmijën s’e pranoja dot. Djali pësoi një incident, u rrëzua nga kati i dytë, mbeti me disa probleme”, rrëfeu gruaja.

Ajo apelon për ndihmë që i biri të marrë atë që i takon me ligj nga babai dhe të mund të ketë një jetë normale si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.

“Vendimi i gjykatës për detyrimin ushqimor 100 mijë lekë, rroga e tij ishte e lartë, paguhej 1 milion. Unë merrja rreth 250 mijë lekë rrogë. Më thanë që ka ikur në Amerikë, kishte 4-5 muaj.

Para se të ikte pagoi 1 milion e 100 mijë për 11 muaj, më pas iku në Amerikë, kur erdhi herën tjetër pagoi 1 milion lekë. Ka 11 vite që ka ikur, ka paguar për dy vite, 9 vite nuk ka paguar.

Pas shumë vitesh erdhi nga Amerika, e takoi një herë, dy herë dhe më pas u zhduk. Para tre muajsh ka ardhur në Shqipëri, i thashë që duhet të kontribuonte. Ai tha se do ta merrte në Amerikë, shumë premtime boshe, por në fund s’bëri asgjë. Tani flasin me djalin në messenger. Djali thotë që ai kujtohet vetëm kur do ai. Mua më intereson që ai të paguajë detyrimet e 9 viteve. Përmbaruesi më tha që nuk e gjen dot sepse ai është në Amerikë. Unë i thashë që ai është këtu, bëni punën tuaj lajmërojeni që ai është debitor. Përmbaruesi më tha që duhet t’i bëj denoncim”, tha Lindita.

(Kosova Sot Online)