Haradinaj premton fond të veçantë për gratë shtatzëna që janë në marrëdhënie pune

  • 18 September 2019 - 19:49
Haradinaj premton fond të veçantë për gratë shtatzëna që janë në marrëdhënie pune

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar sot gra të komunës së Suharekës, ku ka thënë se me programin e ri qeverisës, synon që të ketë një trajtim më të veçantë për gratë në marrëdhënie pune.

“Gratë e Kosovës janë vet historia e saj dhe thelbi i ekzistencës sonë si shtet. Gjatë këtij mandati kemi punuar në vazhdimësi për të fuqizuar rolin e tyre në shoqëri. Falë masës afirmative për regjistrim të përbashkët të pronës, sot kemi rreth 5 mijë prona në emër të dy bashkëshortëve dhe mbi 91 mijë raste ku gratë kanë të regjistruara pronën në emër të tyre”, ka shkruar Haradinaj. 

Haradinaj ka thënë se do të ketë buxhet të veçantë për gratë shtatzëna dhe lehona.

“Para zonjave të Suharekës, theksova se me programin qeverisës, ne synojmë që prodhuesit që punësojnë gra të kompensohen me gjysmën e pagës, të krijohet fond i posaçëm për punësimin e tyre, të ketë buxhet të veçantë për shtatzëna e lehona dhe shtesa të fëmijëve. Vota për 100% shtet është votë për një shtëpi të sigurt dhe rritje të mundësive shtesë për gruan e Kosovës”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)