Kur do të ngrohet moti në Kosovë? Parashikimi për pesë ditët e ardhshme

  • 18 September 2019 - 22:02
Kur do të ngrohet moti në Kosovë? Parashikimi për pesë ditët e ardhshme

Moti do të jetë i ftohtë në Kosovë edhe gjatë ditëve në vijim. Të enjten priten reshje të dobëta shiu, ndërsa në fundjavë moti parashihet të ngrohet.

“Fronti i ftohtë që ka filluar të depërtojë mbi rajon, po sjell nga veriu i kontinentit masa të ftohta ajrore, që ditëve në vijim do të zbresin ndjeshëm temperaturat nën vlera mesatare. Ditën e enjte orëve të pasdites dhe mbrëmjes, vende-vende priten mundësi edhe për reshje të dobëta shiu”, parashikon Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se “nga dita e premte, fusha të presionit të lartë nga Evropa perëndimore do të fuqizohen mbi rajonin tonë, që do të favorizojnë mot kryesisht të kthjellët dhe me diell ditëve të fundjavës”.

“Për shkak që ditën e shtunë temperaturat minimale do të pësojnë një rënie më të theksuar, në mëngjes vende-vende paraqiten mundësi për formimin e ngricave të ulëta. Në fillim të javës së ardhshme, depërtimi i një fronti të ftohtë, sërish rritë mundësitë për reshje të dobëta shiu”, njofton PW.

Parashikimi për datat 19-23 shtator:

19.09 – Ftohtë, kryesisht me vranësira. Pasdite vonë dhe në mbrëmje vende-vende priten reshje të dobëta shiu.

20.09 – Kthjellët dhe me diell.

21.09-22.09 – Kthjellët dhe me diell. Të shtunën në mëngjes ftohtë, vende-vende mundësi për ngrica të ulëta. Të dielën, gjatë ditës më ngrohtë.

23.09 – Kryesisht me diell. Në mbrëmje vranësirat do të shtohen.

Temperaturat minimale gradualisht do të zbresin nga 9C deri në 3C, e maksimalet do të zbresin në 17C, por që gradualisht do të rriten në 24C ditën e diel dhe të hënë.

Do të fryj erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 4-7m/s.

Shtypja atmosferike do të rritet lartë mbi vlera normale.

Image

(Kosova Sot Online)