KQZ-ja tregon arsyet pse 5 mijë e 226 aplikacione për të votuar nga mërgata janë refuzuar

  • 19 September 2019 - 15:25
KQZ-ja tregon arsyet pse 5 mijë e 226 aplikacione për të votuar nga mërgata janë refuzuar

Mërgimtarët kanë pasur mundësinë që nga data 30 gusht deri më 10 shtator të aplikojnë për tu regjistruar si votues për zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. Të gjithë ata që kanë aplikuar dhe aplikimi i tyre është aprovuar do të kenë mundësinë që të votojnë përmes postës duke filluar nga sot deri më 4 tetor. KQZ ka publikuar numrin e aplikacioneve nga jashtë Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar.

KQZ ka bërë të ditur se përgjatë periudhës së aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, përmes adresës postare të KQZ-së, Faksit dhe adresave elektronike, janë pranuar 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim. Të regjistruar si votues të suksesshëm janë 35 mijë e 87 votues, kurse të refuzuar janë 5 mijë e 226 aplikacione.

Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së ka treguar disa nga arsyet e refuzimit të aplikacioneve që janë dërguar nga mërgimtarët për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e 6 tetorit.

“32 aplikues të refuzuar kanë qenë nën moshën 18-vjeçare, 2 mijë e 338 aplikues që kanë aplikuar me dokumente valide të identifikimit, por që nuk kanë dërguar dokumente me të cilat do të vërtetohej njëra nga kriteret zotësisë juridike për tu përfshirë në listën e votuesve jashtë Kosovës, kurse 2,856 aplikues janë refuzuar për shkak që kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, dhe të cilët, nuk kanë dëshmuar identitetin dhe njërën nga kushtet ligjore për tu përfshirë në listën e votuesve jashtë Kosovës” ka thënë Elezi. 

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të vitit 2017, periudha e aplikimit ka qenë nga 15 deri 22 maj.

Numri i përgjithshëm i aplikacioneve ka qenë 20 mijë e 354, të aprovuara ishin 15 mijë e 118 votues kurse të refuzuara 5 mijë e 236 aplikacione.

Mërgimtarët në këto zgjedhje kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues rreth 50 për qind më shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017.

Partia e cila pret më së shumti mbështetje nga votat e mërgatës është Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 2017-së kishe dalur partia e parë, me 2500 vota për ta.

Këto vota, VV-së ia kishin siguruar edhe një ulëse më shumë në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku kishte pasur gjithsej 32 ulëse.

Mënyrën e votimit nga mërgata e kanë kritikuar vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas tyre mënyra aktuale e pengon përfshirjen e mërgimtarëve në procesin e votimit.

Sipas Vetëvendosjes, mërgimtarët do të duhej ta kishin mundësinë që të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës në shtetet ku ata jetojnë.

(Kosova Sot Online)